
Marc Marquez u përpoq të garonte këtë fundjavë pas aksidentit që përfundoi me frakturë në krahun e djathtë të dielën e kaluar, por dhembja nuk e lejoi që të përfundonte provat zyrtare.
Pasi mori pjesë në të gjitha sesionet e provave të lira, kur në fakt pritej që në pistë të rikthehej pas 2 muajsh, spanjolli i Hondës u dorëzua në provat zyrtare. Vetëm një xhiro në Jerez dhe kthim në bokse. Honda njoftoi se Marquez nuk do të marrë pjesë në garë për shkak të dhembjeve që ndjen në krah.
Nga mungesa e kampionit të botës në fuqi përfitoi sërish Quartararo. Francezi i Yamaha Petronas regjistroi kohën më të shpejtë të ditës dhe nesër do të niset nga “pole position”, duke vënë kandidaturën për një tjetër fitore pas asaj të javës së kaluar.
Nga vendi i dytë niset Maverick Viñales (Yamaha zyrtare), ndërsa rreshtin e parë e plotëson italiani Francesco Bagnaia me Ducati Pramac.
Prova zyrtare pozitive edhe për Valentino Rossin, i cili do të niset nga vendi i katërt, përpara Oliveira dhe Morbidelli. (A2 Televizion)