








Në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri thirrje për më tepër bashkëpunim mes shqiptarëve për të çuar përpara interesat e tyre politike.
Në fjalën e mbajtur në ceremoni, Kurti deklaroi se 10 qershori është në regjistrin e datave të rëndësishme siç është 28 nëntori dhe 17 shkurti.
“Prandaj 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik shqiptarëve e i cili vazhdon edhe sot. Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe ne si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja e Prizrenit shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë po këtu...”, tha Kurti.
“Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb europian. Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, evropian e amerikanë”.
Në të njëjtën ceremoni, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se lidhja shprehu qartë jo vetëm vendosmërinë e shqiptarëve për një shtet të pavarur, por edhe orientimin e tyre perëndimor.
Më 10 qershor të vitit 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizim i mirëfilltë politik mbarëkombëtar i shqiptarëve, që synonte mbrojtjen dhe integritetin e territoreve ku banonin shqiptarët në Perandorinë Osmane, të kërcënuara nga vendet fqinje. (A2 Televizion)