
Bashkimi Europian mirëpret çdo kontribut në dialogun Prishtinë-Beograd, por statuti për formimin e asociacionit bëhet vetëm përmes këtij procesi. Është kjo përgjigja e dhënë për A2 CNN nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në pyetjen e shtruar lidhur me draft-statutin për asociacionin të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të dërguar tek liderët europianë.
Zyrtari i Brukselit konfirmon se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, është në kontakt konstant me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe me ata të vendeve anëtare.
Siç e kam theksuar shumë herë më përpara, diskutimet dhe draftimi i statutit për Asociacionin mund të bëhen vetëm përmes kornizës së dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian. Një ftesë për sesionin e parë të skicimit të asociacionit në nivel ekspertësh u është dërguar të dyja palëve në 5 dhe 6 qershor. Por takimi nuk është zhvilluar për shkak të tensioneve në terren.
Peter Stano, zëdhënës i BE
Zëdhënësi Peter Stano shtoi se BE si ndërmjetësuese e dialogut është e gatshme të organizojë së shpejti një tjetër sesion për përpilimin e statutit të asociacionit dhe se është në kontakt me të dyja palët në Prishtinë dhe Beograd.
Më herët gjatë ditës, Radio Evropa e Lirë citoi burime diplomatike, sipas të cilave drafti i Ramës po analizohej pasi ishte vlerësuar si serioz dhe i shkruar mirë.
Qeveria e Kosovës nuk është shprehur zyrtarisht lidhur me propozimin e Ramës, por një ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit, Kurti u shpreh se marrëveshja do të arrihet nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij. “Nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, është shprehur Kurti në Kuvend.
Kryeministri Rama tha se draftin e tij për Asociacionin – një dokument konfidencial për momentin – të realizuar me ekspertë të huaj, përfshi edhe amerikanë, ia kishte dërguar liderëve të Gjermanisë dhe Francës, por nuk e kishte konsultuar me Kurtin për dokumentin.
Deklarata e Ramës ngjalli reagime në Shqipëri dhe Kosovë. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se teksti ishte shkruar në Beograd, ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, mbështeti qëndrimin e Ramës për këtë çështje. (A2 Televizion)