
Një ditë para 1 vjetorit të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, janë të shumta Pikëpyetjet që na kanë shoqëruar përgjatë 365 ditëve që po lemë pas; Sa zgjat, kur merr fund, kush fiton, si fiton?
Nga SHBA eksperti i Çështjeve të Sigurisë Adrian Shtuni bën një përmbledhje që nxjerr në pah shifrat tronditëse. “Kemi një numër të madh të të vrarëve dhe të plagosurve, rreth 330 mijë, kemi qytete të rrafshuara dhe rreth 8 milionë refugjatë që janë rezultat i një sulmi grabitqar dhe imperialist i filluar nga Putini pa asnjë justifikim. Nga historia e dimë që forca ushtarake nuk garanton fitoren dhe populli ukrainas nuk po mbron vetëm sovranitetin e tyre por edhe rendin botëror bazuar mbi rregulla dhe ligje, falë edhe solidaritetit shembullor të vendeve të NATO-s”.
Por gjatë këtyre muajve tragjikë, Moska ka ndryshuar disa herë narrativën e të ashtuquajturit “Operacion Special”. Sipas Ilir Kalemajt, “Rusia filloi fushatën si një operacion special që kërkonte denazifikimin, shkoi tek prirja imperialiste për zgjerim territori, gjë që ka bërë më parë edhe në Gjeorgji dhe Moldavi, me unifikimin e pritshëm të Bjellorusisë. Ndryshimi i narratives flet tashmë për atë që portretizohet nga mediat ruse si një luftë me Perëndimin e bashkuar, gjë që mund të justifikojë edh humbjen e tyre”.
Sipas tij, “ukrainasit kanë dhënë një shembull të jashtëzakonshëm në një skenar konfrontimi që nuk ka shembuj pas luftës së dytë botërore, dhe identiteti ukrainas sot është shumë herë më i fortë dhe i bashkuar për sa i përket qasjes ndaj Rusisë”.
Kalemaj vijon duke shprehur bindjen se është narrativë e gabuar ajo që flet për një zgjerim të pakontrolluar të NATO në kufijtë e Rusisë. “Ka qenë një prirje e vendeve lindore që të lodhura nga pushtimi sovjetik në periudhën postkomuniste kishin aspiratën për t’iu bashkuar Perëndimit”.
Shtuni thekson edhe dështimet e Kremlinit. “Rusia nuk arriti të mposhtë një kundërshtar më të dobët por më të motivuar, dështimi i dytë i Rusisë ishte fakti që në vend që të tërhiqte nga ana e saj Ukrainën, tashmë vendi është shumë më afër me BE dhe NATO. Madje, po hyjnë në NATO edhe vende neutrale si Suedia dhe Finlanda, duke dyfishuar kështu kufirin që Moska do të ndante me vende të NATO-s”. (A2 Televizion)