
Bota e boksit ishte në ankth që nga dita e premte për fatin e rusit Maxim Dadashev dhe sot, stafi i boksierit 28-vjeçar, dha lajmin më të keq të mundshëm: Dadashev ndërroi jetë pas dëmtimeve që pësoi në ndeshjen kundër Subriel Matias.
Trajneri i tij, Buddy McGirt, njoftoi se pas disa ditësh në gjendje kome, boksieri nuk ia doli dot t’u mbijetojë dëmtimeve të rënda të pësuara në ring pas disa goditjeve të forta të marra në fytyrë.
Menjëherë pasi u tërhoq nga ndeshja, Dadashev u dërgua në një spital në Merilend, ku u konstatua se kishte pasur hemorragji në tru. Mjekët kryen një ndërhyrje kirurgjikale që zgjati rreth dy orë, por që më pas 28-vjeçari ra në koma dhe humbi jetën ditën e sotme. (A2 Televizion)