
Alfred Peza, nga Partia Socialiste, ishte i ftuar në studion e “Ditari” në A2, ku komentoi manifestimin e djeshëm të presidentit Ilir Meta. Peza nuk e kurseu ironinë kur tha se iu duk “shumë artistike pjesa e presidentit të ulur në gjunjë me shqiponjë”.
“Nga momenti që presidenti i republikës doli nga kangjellat e institucionit, ai nuk është më as President dhe as mbi palët, pasi e ka tejkaluar të drejtën e vet kushtetuese. Presidenti duhet të jetë person që simbolizon unitetin e popullit shqiptar dhe jo unitetin e popullit opozitar. Në këto kushte, presidenti nga dje nuk është më “de facto” president, por vetëm “de jure”. Presidenti ka dy rrugë: ose ndjek rrugën institucionale për zgjidhjen e problematikave, ose ndjek rrugën e rrugës. Po ndoqi rrugën e rrugës, duhet të futet në politikë dhe ta lërë kostumin e Kreut të Shtetit”, theksoi Peza.
“Simbolika e dy kokave të shqiponjës lidhet me faktin që opozita sot është me dy koka. Basha në shesh duke duartrokitur dhe Meta në tribunë, që tregon se Meta e ka nisur ambicien e tij për të qenë lideri i opozitës”, shtoi Peza.
Sipas Pezës, presidenti nuk mund ta shpërndajë dot parlamentin, pasi kompetencat e Kreut të Shtetit nuk ia lejojnë.
“Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, palët politike në vend kanë pranuar Komisionin e Venecias si Gjykatë Kushtetuese. Nuk i takon Ilir Metës nëse janë apo jo gjërat kushtetuese. Në këtë ndërmarrje të çmendur, Presidenti nuk ka me vete as BE-në dhe as SHBA-në”, nënvizoi Peza. (A2 Televizion)