
Vendimi i Boris Johnson për të pezulluar Parlamentin ishte i paligjshëm. Vendimi historik u dha martën nga Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe. Kryeministri pezulloi punimet e dhomës së komunëve me 5 jave, me pretendimin se kjo do të lejonte mbajtjen e një fjalimi nga Mbretëresha Elizabeta për politikat e reja të qeverisë së tij. Por gjykata më lartë e mbretërisë së bashkuar tha se pengimi i deputeteve për të kryer detyrën e tyre, ishte i gabuar .
“Gjykata arrin në përfundimin se vendimi për të këshilluar madhërinë e saj për të çuar në pushim të detyruar parlamentin ishte i paligjshëm, pasi frustroi dhe pengoi parlamentin për të kryer funksionet kushtetuese pa një justifikim të arsyeshëm”, tha Lady Brenda Hale, kryetare e Gjykatës Supreme.
Një kolegj prej 11 gjyqtarësh vendosi njëzëri se pezullimi ishte i pavlefshëm dhe pa asnjë efekt. Tani është në dorë të kryetarëve të Dhomës së Komunëve dhe asaj të Lordëve të mbledhin sa më shpejt deputetët.
Kryetari i dorëhequr i Dhomës së Komunëve Bercow e mirëpriti vendimin dhe tha se parlamenti duhej mbledhur pa asnjë vonesë. Ai shtoi se do të konsultohej me urgjencë me liderët e partive. Kritikët e akuzojnë Johnson, se me pezullimin e parlamentit po përpiqej të pengonte përpjekjet e deputetëve kundër një Brexit-i pa ujdi. (A2 Televizion)