Pikëpyetjet e vdekjes së Lear Kurtit

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2022, 10:30 | Kronikë

Pikëpyetjet e vdekjes së Lear Kurtit

Nga Julian Kasapi, Armand Bajrami

Lear Kurti ishte vetëm 2 vjeç kur u birësua nga shtëpia e fëmijës nga Arturi dhe bashkëshortja e tij Fatmira, për t'i dhënë vogëlushit një familje të cilën nuk e kishte. Nëna e tij, edhe ajo e rritur në shtëpinë e fëmijës e mori vogëlushin Lear me një emër shpresëplotë, por që fati i rezervoi një fund tragjik.

Lari siç e thërriste shoqëria, i rritur në një nga zonat më problematike të Tiranës tek ish-Parku i autobusëve u shkollua, zotëronte disa gjuhë, kishte pasion hieroglifët, por që ashtu si shumë të rinj në Shqipëri nuk arriti të gjente veten e tij.

I punësuar që në moshën 14-vjeçare në zanate të ndryshme, për Lear Kurtin u fol shumë në media mbrëmjen e 19 tetorit, atëherë dhe kur ai humbi jetën.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me datën 19 tetor në orën 23:07, patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentet e identifikimit.

"Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentet e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë".

"Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë, është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij u rëndua, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë" - Policia e Shtetit, 19 tetor 2022.

Pas disa orësh nga mbërritja e njoftimit zyrtar të Agjencisë së mbikëqyrjes policore, Spitali i Traumës përgënjeshtroi informacionin. Lear Kurti nuk humbi jetën në spital.

Videot e publikuara në media në datën 20 dhe 21 tetor tregonin se si Kurti largohej nga efektivët me vrap, ndërsa në një moment tjetër se si 32-vjeçari pa ndjenja tërhiqej nga krahët nga një prej policëve të patrullës së përgjithshme.
Menjëherë pas kësaj, pikëpyetjet mbi humbjen e jetës së të riut ishin të shumta. Njëra prej tyre se përse 32-vjeçari në atë gjendje nuk u shoqërua për në Spitalin e Traumës kur ndalimi i tij ndodhi në zonën e Don Boskos.

Media pyeti dhe mbi arsyet se përse nuk u njoftua ambulanca, e cila mund t'i jepte ndihmën e shpejtë, por u zgjodh shoqërimi për në komisariatin numër 3, distancë kjo më e largët se spitali.
Me një njoftim të dytë, kësaj here së bashku me prokurorinë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore sqaroi se në trupin e të ndjerit ishte gjetur një qese plastike e dyshuar si ambalazh e lëndëve narkotike, ndërsa në këtë njoftim nuk thuhej asgjë mbi shkaqet e vdekjes, por vetëm se veprimet e policisë ishin konform rregullave.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pezulloi efektivët e patrullës në mënyrë që hetimet të kryheshin të pandikuara, por vetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe prokuroria dolën në njoftim të përbashkët.

E në një kohë që rezultatet e autopsisë e cila u kontestua për kohën e kryerjes së saj ende nuk kishin dalë, ndërsa Prokuroria dhe AMP u kujdesën të saktësonin një qese të dyshimtë në trupin e tij, përgjigjja se pse 32-vjeçari humbi jetën erdhi pas 22 ditësh. Këtë herë, njoftimi erdhi nga Prokuroria e Tiranës.
Sipas njoftimit, shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).

Edhe pse përgjigjja e mjekësisë ligjore pritej të dilte në një konkluzion të tillë sërish pikëpyetjet mbeten. Përse nuk u shoqërua në Spitalin e Traumës vetëm disa metra larg Don Boskos? Përse policia nuk njoftoi ambulancën duke parë gjendjen e Lear Kurtit, por e njoftoi atë pasi mbërriti në komisariatin numër 3?

https://youtu.be/kXU866G7yEg

-

Vdekja në duart e policisë, Mjekësia Ligjore: Lear Kurti kishte mbidozë kokaine

Mbrëmjen e 19 tetorit, Lear Kurtit i pushoi zemra nga mbidoza e kokainës. 32-vjeçari që u shoqërua nga policët e komisariatit numër 3, nuk mbërriti i gjallë në Spital, duke shkaktuar reagim të fortë në opinionin publik. Pas një muaji, grupi i ekspertëve mjekoligjorë arritën në përfundimin se sasia e lëndës narkotike në trupin e të riut, i kishte shkaktuar atij një helmim akut dhe kishte sjellë më pas shok toksik e ndalim të zemrës.

Prokuroria e Tiranës njoftoi se akt-ekspertimi mjekoligjor mbi shkakun e vdekjes është administruar dhe bërë tashmë pjesë e dosjes hetimore. Më herët, prokuroria administroi një tjetër akt-ekspertim kimik, që provoi prani të kokainës në mbetjet e një qeseje plastike të gjetur në stomakun e të riut gjatë autopsisë.

Lear Kurti ndërroi jetë pak minuta pasi u shoqërua nga një patrullë policie në rrugën “Riza Çuka” në zonën e Laprakës. Ngjarja ngjalli debat të fortë mbi mënyrën e sjelljes së efektivëve të policisë, konstatimit të problemeve të tij shëndetësore dhe vonesës së dërgimit në spital.

Prokuroria e kryeqytetit po e heton rastin për veprat penale të “veprimeve arbitrare” dhe “mosdhënie e ndihmës”, ndërsa pas ngjarjes u pezulluan nga detyra katër nga punonjësit e policisë që u angazhuan në shoqërimin e të riut.

- (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/vdekja-ne-duart-e-policise-mjekesia-ligjore-lear-kurti-kishte-mbidoze-kokaine/
https://a2news.com/video/misteret-e-vdekjes-se-lear-kurtit-bregu-seri-telefonatash-polici-kerkoi-leje-ku-ta-dergoje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos