Ky është Sirin Leka, nga Pogradeci, 14 vjeç i lindur me spektrin e autizmit, por i lindur edhe me pasionin për pikturën. Prindërit e tij e konstatuan çrregullimin e tij në moshën 3-vjeçare.
Ndërsa në moshën 7-vjeçare Sirini shfaqi talentin në pikturë të cilin e vazhdon edhe sot e kësaj dite, madje duke zhvilluar edhe zhanre të tjera të këtij arti.

“Ne e zbuluam në autizmin e tij në moshën tre vjeç e gjysmë. E kemi trajtuar për këtë spektër. Në moshën 7-vjeçare filloi të vizatojë vetë me dorë të lirë, aty kuptova që kishte aftësi. Qeramikën ia sugjerova unë dhe e ka shumë për zemër. Ka shitur shumë dhe kjo e lumturon“, thotë për A2 e ëma e Sirinit, Denisa.

Vetë Sirini nuk flet shumë për shkak të spektrit që ka, por të ardhmen e ka të qartë se çfarë dëshiron të bëhet. Adoleshenti ka arritur që deri më sot të realizojë 3 ekspozita, ndërsa është një dëshmi e gjallë se pavarësisht spektrit të autizmit këta fëmijë janë pjesë aktive e shoqërisë. (A2 Televizion)