Piloti i Formula 1 shkatërron një nga makinat më të rralla në botë

Nga A2 CNN
28 Korrik 2020, 20:59 | Sporte të tjera

Kur kanë parë të shkatërruar një makinë si Mc Laren Senna, 800 kuaj fuqi qe në 2.8 sekonda arrin 100 kilometrat në orë, me shpejtësinë që arrin teorikisht 340 kilometrat, forcat e policisë franceze të qytezës së Eze, pranë Principatës së Monakos, duhet të kenë menduar fillimisht se paratë nuk të bëjnë pilot.

Por në këtë rast do të kishin gabuar. Sepse makina që kushton pothuajse një milion e gjysmë euro kishte si drejtues një 37-vjeçar që në jetën e tij kishte provuar mjete shumë më të fuqishme.

Bëhet fjalë për gjermanin Adrian Sutil, ish-pilot i Formula 1, ku me emra si Force India dhe Sauber ka marrë pjesë në gara deri në 2014-ën.

Nuk dihet ende dinamika e aksidentit, fatmirësisht pa pasoja për gjermanin, por pamjet që kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, ku Sutil ndodhet sipër një karroatreci, i kanë thyer “zemrën” shumë të dashamirësve ndaj makinave të shpejta si kjo Mc Laren Senna në variantin e saj të limituar (LM) prej 20 ekzemplarësh, e dedikuar të paharruarit Ayrton Senna.

Gjithsesi, një pikë loti ndoshta do ta derdhë edhe vetë Sutil, kur të njihet me faturën e riparimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos