Ping-pongu me “184”, Hazizaj: Në kompetencat e SPAK, edhe krimi elektoral

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2020, 10:38 | Aktualitet
Ping-pongu me “184”, Hazizaj: Në kompetencat e SPAK, edhe krimi

Ping-pongu me hetimet e “Dosjes 184”, e cila përfshin funksionarë të lartë të shtetit, nga një prokurori e posaçme në një të zakonshme, ka hapur jo vetëm debatin politik, por edhe atë ligjor.

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj thotë se për shkak të ndërhyrjeve në legjislacionin e ri për rritjen e autonomisë së organit të hetimit, i gjithë sistemi është i traumatizuar.

“Ligji në mënyrë shumë të saktë tregon që çka përfshihet në veprat penale të kryera nga autoritete kushtetuese, janë pjesë e hetimit dhe gjykimit të strukurës së posaçme”, shprehet Hazizaj.

Ai thotë se zhargoni i së kaluarës për betejën e kompetencës vijon të shfaqet dhe tek organet e reja: “Për çdo subjekt që është produkt i Kushtetutës, identifikohet si kryerësi i veprës penale, çdo lloj vepre penale të parashikuar nga neni 75, A i Kodit të Procedurës Penale, pa dyshim është pjesë e SPAK-ut”.

Sot, SPAK ka tagrin të shpallë kompetencën e tij hetimore në bazë të legjislacionit të ndryshuar që prej vitit 2016, duke e shndërruar atë në një organ të pavarur dhe mbi të tjerët.

“Në momentin që struktura e posaçme konstaton që nuk është kompetencë e saj, konstaton që nuk janë të përzierë produkte të organeve kushtetuese si ministri, kryeministri apo Presidenti, është kompetencë e prokurorive të zakonshme”.

Sipas tij, prokuroria e ka humbur funksionin e saj si organ hetimor: “Mua më duket sikur e ka humbur funksionin e vet. Sot jemi nën trysninë që bën politika mbi organet e drejtësisë. Organi i hetimit po bëhet emocional në veprimtarinë e tij, duke rënë në grackën e një sensibiliteti populist mbi identifikimin e ngjarjeve sesa po bën veprimtari hetimore për zbulimin e ngjarjeve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos