
Rritja e numrit të të infektuarve nga koronavirusi rrezikon të spostojë edhe datën e rinisjes së futbollit në Shqipëri. Federata dhe klubet ranë dakord që të kthehen në aktivitet me Kategorinë Superiore prej datës 3 qershor. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë heziton të japë dritën jeshile dhe vijon të mos i përgjigjet kërkesave të futbollit.
Çdo gjë është lënë në “stand-by”, edhe pse gjithçka është gati, skuadrat po stërviten dhe klubet po vazhdojnë të shpenzojnë mes të panjohurave që rezervon pandemia dhe injorimi nga institucionet përgjegjëse. Të gjendur përballë kësaj situate, në Federatë kanë hartuar edhe një plan B. Shtyrja e kampionatit me një javë është një opsion që qëndron në tryezë. Periudha deri në fundjavë do të jetë vendimtare dhe nëse nuk do të vijë zyrtarizimi nga Ministria e Shëndetësisë, Federata do të përcaktojë që aktiviteti të nisë më 10 qershor.
Ky skenar do të ndikonte edhe në kalendar, sepse ngjeshja e ndeshjeve do të bëhej më e madhe. Për të evituar që gara për titullin dhe për kupat e Europës të kompromentohet edhe më tej, në këtë rast do të sakrifikohej Kupa e Shqipërisë. Turneu i dytë për nga rëndësia në vend do të vijojë të luhet, por me një format ndryshe. Me ndeshjet që kanë mbetur në fazën çerekfinale, ideja e re do të përshtatet nga Champions League, ku do të luhen sfida teke për të përcaktuar fituesit, duke evituar ndeshjet me sistem vajtje-ardhje.
Në këtë rast, kupa do të ketë fituesin e saj, ndërsa skuadrat do të evitonin dy ndeshje të cilat do të ishin të vështira të implementoheshin në kalendar në rast të shtyrjes së rifillimit të futbollit. (A2 Televizion)