
Isa Mustafa, personalitet që ka dominuar skenën politike në Kosovë që prej qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit; ka qenë kryeministër, dhe kryetar I LDK; në 17 shkurt të 2008 drejtonte kryeqendrën e shtetit më të ri, Prishtinën.
Në një intervistë për A2, ai rrëfen përjetimet e asaj dite, por komenton gjithashtu dinamikat politike pas pavarësisë, dialogun me Serbinë, propozimin franko-gjerman dhe asociacionin.
Për mikrofonin e A2 CNN, Mustafa tregon ndër të tjera se çfarë shkoi mirë dhe çfarë shkoi keq pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.
“Mirë ka shkuar ndërtimi i institucioneve të Kosovës sepse nuk kemi pasur thuajse asgjë. Ne kemi pasur institucione gati hibride, sa ka qenë UNMIK dhe prezenca e ndërkombëtarëve. Sot kemi një strukturë të ndërmarrjeve, të sektorit privat, që funksion mirë. S’mund ta them të njëjtën gjë për ato shtetërore. Janë bërë përpjekje për integrimin e qytetarëve serb, deri në atë periudhë integrimi i tyre ka qenë shumë i brishtë... Janë arritur disa marrëveshje të dialogut me Serbinë,” shprehet ish-kreu i LDK-së.”
Kurse, vërejtje Mustafa ka për nivelin e krimit dhe korrupsionit në vend dhe për mënyrën sesi ka vijuar dialogu me Serbinë.
“Dialogu, kohëve të fundit ka dalë nga binarët. Po kërkohen edhe masa edhe marrëveshje të veçanta që të kthehet stabiliteti në vend. Besoj që qeveria do të jetë e kujdesshme dhe do të bashkëpunojë edhe me BE edhe SHBA që gjërat të shkojnë mirë,” shtoi ai.
Duke u ndalur më tej te dialogu, Isa Mustafa theksoi se ky proces po zhvillohet në terren të vështirë për Kosovës. Kjo edhe për shkak të tensioneve që u krijuan në Veri.
“Nuk është vështirësuar nga faktori i jashtëm, por është krijuar nga sjellja e Serbisë dhe nga gabime të qeverisë së Kosovës. Me atë politikën për targat e automjeteve, për dokumentet e identifikimit me të cilat nuk koordinoi politikat me BE dhe SHBA. Pastaj gjithë serbët në Veri lëshuan institucionet...Sot po luftohet më shumë për stabilitet dhe paqe sesa për një zgjidhje funksionale.”
Ndërsa, i pyetur për planin franko-gjerman, ish-kreu i LDK-së theksoi se pa njohje reciproke vështirë se mund të arrihet në një pikë përfundimtare.
“Marrëveshja duhet tashmë përfundimtare dhe të ketë në qendër njohjen reciproke dhe plani franko-gjerman nuk e garanton këtë. Pa njohje reciproke, vështirë se do të kemi një stabilitet të marrëdhënieve.”
Çdo gjë tjetër, përpos njohjes reciproke, për Isa Mustafën do të ishte vetëm një zgjatje e dialogut edhe për të paktën 7 vite të tjera. (A2 Televizion)