
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, detajoi planin me 4 pika, të pranuar për uljen e tensioneve në veri të vendit. Ai saktësoi se në marrëveshjen e arritur në Bratislavë mes kryenegociatorit, Besnik Bislimi, dhe ndërmjetësuesit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, përcaktohet reduktimi me 25 për qind i prezencës së policisë pranë godinave komunale dhe zhvendosja e tyre po në ato komuna.
“Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku mbështetë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në ato komuna. Kjo do të ndodhë pas stinës së verës dhe natyrisht, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Ne me këtë rast kemi shprehur përkushtimin tonë që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Gjithashtu bëri me dije se policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, nё veçanti për tё shikuar mundësinë për zvogёlim tё mёtejshëm tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Zbatimi i planit duhet të bëhet brenda dy javëve. BE do të ftojë dhe dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrëveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrëveshjes.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, reagoi ndaj marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Europian duke i konsideruar të pakuptimta kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët për rikthimin e qetësisë në veri të Kosovës. “Shtensionim është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë”, nënvizoi Vuçiç. (A2 Televizion)