Një incident i rëndë në një fushë golfi ka ndodhur në Cleveland Height në Lakeland të Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkak për këtë është bërë vonesa e lojës nga ana e një grupi amatorësh, të cilët mesa duket e kishin marrë me ngadalë lojën, por kjo nuk i ka pëlqyer aspak një skuadre tjetër, që priste radhën.
Në rrjetet sociale është shpërndarë një video që tregon momentin e përplasjes fizike mes palëve, ndërsa sipas mediave të huaja, ata fillimisht janë sharë dhe ofenduar me njëri – tjetrin, më pas ngjarja ka agravuar në përplasje fizike.
Në vendin e ngjarjes, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë marrë në pyetje dëshmitarët dhe kanë shoqëruar autorët në komisariat, deri në përfundimin e hetimeve. (A2 Televizion)