




Trupat e pajetë të tre burrave, të masakruar nga rivalët e tyre, qëndronin të shtrirë në një prej plazheve më të frekuentuar të Meksikës. Plazhistët e tmerruar gjetën trupat në breg të detit të shtunën e kaluar, në Akapulko (Acapulco), një prej qendrave të turizmit në Meksikë, të shndërruar së fundmi edhe në qendër të vrasjeve kriminale.
Mediat lokale raportojnë se një prej trupave u gjet i lidhur, duar e këmbë, te një spirancë çimentoje. Ndërsa një tjetër u gjet përmbys në plazh. Një trup i tretë u zbulua vetëm 2 kilometra më larg në një tjetër plazh. Sipas “El Pais”, trupi i tretë ishte pranë një baze ushtarake.
Akapulko është një prej zonave më të frekuentuara nga turistët në Meksikë. Në periudhën 1940-1960 ka qenë edhe “baza” e elitës së Hollywood-it. Aty kalonin pushimet yje si Elizabeth Taylor, Frank Sinatra dhe Brigitte Bardot, ndërsa në vitin 1963 u prodhua edhe filmi “Fun In Akapulko”, me Elvis Presley-n.
Por shkëlqimi i dikurshëm është zbehur prej kohësh tashmë. Në vitin 2019 u listua si i shtati në renditjen e qyteteve me më shumë vdekje në botë. Në vitin 2016 kishte numrin më të lartë të vrasjeve në botë, plot 918.
Dy vite më pas e gjithë forca policore e qytetit u shpërbë për shkak se kartelet e drogës ishin infiltruar në të dhe ushtria mori kontrollin e sigurisë. Që prej asaj kohe, forcat e armatosura patrullojnë plazhet dhe zonat më të frekuentuara.
Sot, shumica e turistëve në qytet janë vendas, ose nga zona të tjera të Meksikës. Deri tani, shtimi i masave të sigurisë nuk është pasqyruar në përmirësimin e shifrave. Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2022 janë kryer mbi 120 vrasje. (A2 Televizion)