Ka përfunduar takimi i kryeministrit Rama me krerët e grupeve parlamentare, ku është diskutuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kryetarët e grupeve parlamentare kërkuan takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, pas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare në lidhje me reformën zgjedhore.
Deputetët e opozitës në parlament janë shprehur se nuk do t’i votojnë ndryshimet në kodin zgjedhor, ndërsa kërkojnë ndryshim të sistemit.
“Duke u nisur nga orari, erdhi në të njëjtën orë që takoi më 17 maj Lulzim Bashën, por nuk zgjati aq shumë, pasi ne nuk jemi deputetë apo pjesë në tavolinë ku mund të gënjehemi duke ngrënë pica deri në 12 të natës. Ta harrojë që mund të kalojë një sistem zgjedhor me vota të trafikuara në parlament. Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona. Ne do t’i institucionalizojmë kërkesat tona në komisionin e reformës zgjedhore. Trafikimi nuk është vetëm aset i kryeministrit Rama, por është bërë aset edhe i partive të tjera pjesëmarrëse në Këshillin Politik”, u shpreh Murrizi pas takimit.
Ndërkohë, kryeministri Rama u shpreh se e rëndësishme është të vazhdojnë diskutimet. “Mendoj se është e rëndësishme që të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova akuza në tryezë për tentativa blerjeje apo influenca jo korrekte për deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë dhe në adresën tonë. Unë i sigurova që nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhje ku thjesht do të kërkojmë votat, por në rrugën e diskutimit për të krijuar kushtet e një dakordësie”, u shpreh Rama.
Më tej, ai theksoi se me kodin aktual nuk mund të shkohet në zgjedhje. “Me këtë kod ne nuk shkojmë në zgjedhje, pasi ka nevojë për disa ndërhyrje, pasi kryesorja është të ndërhyjmë në kod minimumi për të garantuar instancën e ankimimit. Për këtë arsye, duhet të kemi edhe konsensusin e opozitës parlamentare. Ne kemi dakordësuar një marrëveshje. Nuk është marrëveshja që unë dhe PS do të donte, por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i garancive për opozitën parlamentare, e cila ka një psikozë që është e pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam, pasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej, ti themi ta bëjë si të dojë”, u shpreh Rama.
Kryeministri i kërkoi ndihmë edhe Lulzim Bashës për të bindur deputetët që dolën nga listat e PD të votojnë marrëveshjen.
“Mendoj se është koha të bëjmë të gjithë një sforco, edhe unë, të flasim më shumë me njëri-tjetrin, jo për njëri-tjetrin. Mbase do të ishte e udhës që edhe Lulzim Basha ta konsideronte të futej në këtë proces dhe të bënte një komunikim me ata që ai i ka sjellë në parlament. Në fund të ditës nuk është aspak mëkat, përkundrazi. Të bashkojmë forcat për të gjetur një rrugë të arsyeshme për të gjetur një zgjidhje që nuk është e lehtë dhe nuk mund të interpretohet nga klubet e natës që japin mend dhe zgjidhje, duke thënë që këta janë të atij dhe këta janë të atij”, u shpreh kryeministri. (A2 Televizion)