
Pasi mbylli ceremoninë e bëtimit me Përparim Kalon, anëtari që bëri funksionale Gjykatën Kushtetuese, Ilir Meta komentoi procesin e ndjekur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). Sipas Presidentit, procedura e ndjekur ka probleme në raport me ligjin, por jo me Kushtetutën, siç ndodhi një vit më parë.
“Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e Presidentit përsa i takon kushtetuetshmërisë së procesit. Ky proces ka pasur dhe ka mamngësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe nga shumë aspekte të tjera. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza, është e pavend sepse në atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe mafioze një anëtar të Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta.
Për Presidentin, anëtarët e zgjedhur dhe ata që do të plotësojnë karriget e tjera bosh duhet të ndjekin modelin e Kosovës, ku Gjykata Kushtetuese dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Por, ndryshe nga Kosova, Kushtetuesja shqiptare ka nën administrim procesin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019: “Ne duhet të ndjekim dhe të monitorojmë funksionimin dhe vendimmarrjen e saj. Ju e patë që në Kosovë pati një zhvillim shumë interesant dhe ne duhet të synojmë të kemi një gjykatë të pavarur nga politika dhe që udhëhiqet nga interesi kombëtar”.
Presidenti ka edhe një vakancë tjetër për të plotësuar. Procesi po administratohet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që njoftoi dorëheqjen e kandidates Zhaklina Peto, duke lënë vetëm një emër në listë, Sonila Bejtja. (A2 Televizion)