“Nuk ka garanci për 25 prillin”, Dritan Shano: Opozita duhet të dalë e bashkuar në zgjedhje

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2020, 13:48 | Politikë
“Nuk ka garanci për 25 prillin”, Dritan Shano: Opozita duhet

“Opozita nuk ka garanci për zgjedhjet e 25 prillit, për sa kohë nuk ka një sistem gjyqësor funksional”. Këtë përgjigje dha anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Dritan Shano, në studion e Ditarit në A2 CNN. Sipas tij, për aq kohë sa mungojnë të 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të drejtat e qytetarëve janë të pambrojtura.

“Gjykata Kushtetuese ka 9 anëtarë dhe nuk ka asnjë interpretim tjetër. Kur të ketë 9 anëtarë do ndiehem pakëz i sigurt për të mbrojtur të drejtat e mia. Kemi 4 vjet që të drejtat tona nuk ekzistojnë. Mua më duhet Gjykata Funksionale. Ne nuk kemi ku ankohemi, prona e qytetarëve është e pambrojtur”.

Duke mos pasur ende një vendim nga PD-ja sesi do të dalë opozita në zgjedhjet e 25 prillit, Shano ndau mendimin e tij se opozita duhet t’i drejtohet si një e tërë popullit, pasi nevoja e vetme e shqiptarëve është largimi i këtij modeli politik nga pushteti.

“Nuk jam në gjendje të jap përgjigje, po diskutohet e negociuar me të gjitha. Unë do të preferoja  që PD-ja të krijonte një front të madh opozitar. Unë mendoj që e gjithë opozita duhet t’i drejtohet si një e tërë popullit shqiptar, sepse nevoja është një; largimi i këtij modeli politik nga pushteti, duhet qëruar një orë e më parë dhe nuk duhet të kthehet kurrë në pushtet”.

Për Shanon, ajo që i duhet opozitës në 25 prill është rikthimi i së djathtës në pushtet për nevojat e qytetarëve dhe bizneseve.

“Basha ka mision të sjellë të djathtën në pushtet. Opozitës i duhet një lexim i vullnetit dhe nevojave të tyre, si dhe paraqitja para shqiptarëve e ekipit fitues. PD-ja gjatë 2020-s ka qenë pranë njerëzve dhe ka lexuar nevojat e tyre, ka propozuar paketa ekonomike e shëndetësore për qytetarët dhe bizneset, e po ashtu ka ofruar bashkëpunimin e qeverisë dhe pse qeveria e ka përbuzur dhe e ka lënë mënjanë të gjitha idetë. Ne bëjmë detyrën tonë”.

Sa i përket situatës ekonomike në vend, dhe sigurisë së mazhorancës për të artikuluar mandatin e tretë, Shano akuzoi qeverinë se punon vetëm për një grup oligarkësh, duke varfëruar në mënyrë të tejskajshme shqiptarët që mos të kenë fuqi vendimmarrëse, por të presin nga qeveria. Sipas tij, e vetmja gjë që kanë në dorë shqiptarët është të jenë të pavarur, më 25 prill.

“Kjo qeveri nuk i shërben shqiptarëve dhe mirëqenies së tyre, por një grupi të strukturuar oligarkësh dhe një numri njerëzish në qeveri. Ka parlamentin si noter dhe kryetarët e bashkive.

Unë mendoj që kjo mazhorancë ka një siguri se ka kllaposur shumicën e mediave, institucioneve ekzekutive, legjislative dhe ka lënë Shqipërinë pa gjyqësor. Nga këtu i vjen siguria që është e pandëshkueshme. Po ky është një sulm psikologjik që u bëhet shqiptarëve. Janë si në kohën e tollonave, sepse kjo qeveri i ka varfëruar në mënyrë të tejskajshme që burimi i vetëm të jetë dora e qeverisë.

Kurthi ka qenë varfërimi i tyre dhe kjo i bën të pafuqishëm ata janë të përjashtuar nga çdo vendimmarrje për taksat. Unë mendoj që e vetmja gjë që kanë në dorë është të qenit të pavaur, më 25 prill”.

I pyetur për zhvillimet e fundit në Kosovë, Shano vlerësoi arritjet 12-vjeçare në këtë vend dhe tha se populli kosovar është fatlum që ka një Gjykatë Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos