“Prioriteti, trajtimi i kancerit”, ministrja e re e Shëndetësisë: Menaxhimi, problemi kryesor i spitaleve

Nga Arestina Skënderi
12 Tetor 2025, 14:16 | Politikë

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, në një intervistë në “podcast”-in e kryeministrit Edi Rama, tha se sfida më e madhe e sistemit shëndetësor është menaxhimi.

Ajo theksoi se problemi nuk qëndron te infrastruktura apo mungesa e stafit, por te mënyra si organizohet dhe drejtohet sistemi, duke nënkuptuar pa e thënë drejtpërdrejt një kritikë për paraardhëset e saj.

“Në drejtimin e strukturës, gjithmonë do ketë një strukturë që do ta rinovosh, është normale. Në drejtimin e menaxhimit aty është ndërhyrja më e madhe që duhet bërë, që të tëra bashkë duhet të koordinohen. Më pëlqen të ndërtoj një skuadër. Vetë nuk e bëj dot”, tha ministrja, shkruan A2.

Rama u shpreh: “Duam të rrisim kapacitetin e menaxhimit të gjërave që kemi vendosur në pozicionet e duhura nga pikëpamja e infrastrukturës”.

Sala tha: “Edhe në Amerikë drejtorët e mirëfilltë të spitaleve nuk janë mjekë. Nëqoftëse bashkëpunohet mirë me shefat e departamenteve, shërbimeve, s’ka pse drejtori të jetë mjek”.

Ndër prioritetet e ministres janë reformimi i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe ofrimi i shërbimeve bazë jashtë spitaleve. Por, më e rëndësishmja, sipas saj, është përmirësimi i trajtimit të pacientëve onkologjikë.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar mungesa të barnave onkologjike dhe vonesa në trajtim gjatë periudhës kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ogerta Manastirliu, sot kandidate për Bashkinë e Tiranës nga PS.

“Një nga gjërat kryesore është reformimi i Fondit të Sigurimeve. Mjekësia ka një kosto, është falas te qytetari, por nuk është falas. Mjekësia kushton. Te qytetari paguhet nga shteti. Mënyra se si duhet të financohet shëndetësia, duhet të menaxhohet në mënyrë të tillë në bazë të rezultateve. Kam dhe grupin e punës. Një nga pikat e tjera që kam dhe një lloj përgjegjësie personale që vij nga fusha e onkologjisë, është trajtimi onkologjik, aksesi i plotë i barnave onkologjike. Në këtë sens e kam menduar si organizim të qendrës nacionale të kancerit. Duhet të dërgosh shërbimin te pacienti, jo pacientin te shërbimi. Sistemet duhen lidhur. Gjëja tjetër është shërbimi primar. Nuk mund të vish në spital për çfarëdolloj gjëje”, tha Sala.

Në përmbyllje, ministrja u shpreh optimiste për të ardhmen e sistemit shëndetësor shqiptar, duke e vlerësuar me 9 pikë nga 10 në total dhe se sa realizohen premtimet e saj, koha do të jetë vlerësuesi më objektiv.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos