Situatë katastrofike në qytetet ukrainase pas bombardimeve të Rusisë

Nga A2 CNN
4 Mars 2022, 13:37 | Bota
Situatë katastrofike në qytetet ukrainase pas bombardimeve të

Pas bombardimeve intensive të ushtrisë ruse, qyteza e vogël e Borodyankës pranë Kievit, duket kështu me pallate të shkatërruara, godina të djegura në tym, rrugë të prishura. Pamjet me dron nga qyteza që gjendet 50 km larg Kievit, risjellin në kujtesë Luftën e Dytë Botërore.

Dhjetëra persona besohet të jenë vrarë nga zjarri rus, por bilanci nuk dihet ende.

Imazhe dramatike vijnë edhe nga Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, i vënë prej ditësh në shënjestrën e tërbimit rus. Zona historike e qytetit e po ashtu një sërë godinash janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, dhe rrugët janë të mbushura me rrënoja.

Ndërsa dokumentojnë pamjet e tmerrit, ekspertë e banorë kërkojnë nga ndërkombëtarët të shpallin ndalimin e fluturimeve mbi Ukrainë.

“Ky qytet është nën sulmin e forcave ajrore ruse prej ditësh. Ata po godasin zonat rezidenciale dhe qendrën historike të qytetit. Është e trishtë të shohësh shkatërrimin e godinave që i kishin mbijetuar pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore”, shprehet Maria Avdeeva, drejtoreshë kërkimi në Shoqatën Europiane të ekspertëve.

Edhe pse nën rrethim dhe shumë pranë Rusisë nga pikëpamja kulturore, Kharkiv nuk ka rënë ende në duart e rusëve. Ministria e Mbrojtjes në Rusi pretendon se ka marrë kontrollin e qytezës së Balakliya pranë Kharkiv.

Katastrofike është situtata edhe në Mariupol, ku prej ditësh, banorët jetojnë mes breshërisë së raketave që e kanë kthyer qytetin, thuajse në rrënoja. Qindra viktima thuhet të jenë shënuar atje, ndërsa qyteti është izoluar nga bota, pa ujë të pijshëm dhe elektricitet.

Sulmet ruse kanë prerë gjithashtu linjat e komunikimit. Autoritetet atje u bëjnë thirrje të dëshpëruar liderëve të NATO-s të dërgojnë trupa në Ukrainë, duke thënë se Rusia nuk do të ndalet deri sa të shkretojë vendin e të vrasë civilët. Autoritetet në Moske pretendojnë se ushtria ka marrë kontrollin e një radiotelevizioni në kryeqytet, dhe publikuan pamjet e trupave dhe pajisjeve ushtarake, teksa hyjnë në rajonin e Kievit. Megjithatë, imazhet satelitore 3D, tregojnë se autokolona e gjatë ushtarake me tanke dhe autoblinda, vijon të avancojë shumë ngadalë drejt kryeqytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos