Një tragjedi e pabesueshme, e ndodhur në kontekstin më të pamenduar, aty ku po luteshin hyjnitë që të sillnin begati.
Janë 11 viktimat në Indi, ndër to një 13-vjeçar, që kanë vdekur nga kontakti i një piedestali të dekoruar për nder të poetit të shenjtë Appar, nga më të adhuruarit nga popullsia tamil, me një kabllo të tensionit të lartë.
Procesioni po kthehej nga tempulli ku besimtarë të shumtë ishin lutur gjatë gjithë natës, ndërkohë që piedestali ishte i dekoruar nga elemente metalike dhe ndriçuesish të shumtë.
Sipas dëshmitarëve, lartësia e piedestalit ishte më e ulët sesa kabllot, për këtë arsyeje energjia në atë pikë të Tamil Nadu, vendngjarjes së tragjedisë, nuk ishte fikur.

Por një pengesë të një prej gjeneratorëve gjatë rrugës kishte detyruar organizatorët të ngrinin strukturën, e cila preku për pak çaste një nga kabllot.
Dhjetë persona mbetën të vdekur në moment, ndërkohë që adoleshenti ndërroi jetë në spital. Tragjedia mund të kishte marrë dimensione edhe më të mëdha, teksa dhjetëra persona ishin larguar nga aty pak çaste më parë.
Kryeministri indian Narendra Modi, shprehu ngushëllimet e tij, ndërkohë që familjarët e viktimave do të marrin rreth 10 mijë euro secila si dëmshpërblim, një shifër e madhe për një zonë të varfër të vendit aziatik, por që nuk fshin aspak dhimbjen për një aksident tragjik që mund dhe duhet të ishte shmangur. (A2 Televizion)