“Po shohim për punëtorë në tregun e jashtëm”, eksperti i përgjigjet bizneseve: Rrisni pagat

Nga A2 CNN
20 Prill 2022, 21:52 | Ekonomi
“Po shohim për punëtorë në tregun e

Tkurrja e popullsisë dhe padyshim edhe plakja e saj, kanë sjellë probleme në tregun e punës. Sot bizneset nuk po gjejnë punëtorë dhe shumë sektorë janë duke punuar në kapacitet.

Sipas Edvin Prençes, kryetar i ProExport Albania, “mungesa e fuqisë punëtorë po çon në falimentim biznesin shqiptar. Nuk ka një ide, duke filluar nga koka, se cila mund të jetë zgjidhja , duke ia lenë gjithçka në dorë biznesit. Të paktën të ketë inventivë ose lirim të rekrutimit. Trajnimi profesional është inekzistent, dhe janë bizneset që e marrin përsipër, ndërkohë që duhet të jetë detyrë e shtetit. Daljet nga tregu i punës kanë përqindje të lartë, në 100 vetë që dalin, vetëm 10 hyjnë. Kemi tentuar të rishikojmë pagat për të mbajtur punonjësit. Paga mesatare në fason është 38 mijë lek, duam t’i rrisim më shumë por për momentin nuk kemi kapacitetet, por trendi është në rritje”, thotë ai, i ftuar në A2 Business.  

Zgjidhja e vetme me shumë gjasë do të jetë importimi i punëtorëve nga vendet e tjetra.

“Veprohet nën kapacitet, prandaj biznesi po shikon mundësin e marrjes në punë nga vendet e treta, që kanë paga më të ulëta. Por procedurat burokratike për këto punëtorë mund të shkojnë deri në 5 muaj. Mendoni që Inspektoratet e Punës pyetjen e parë e kanë a keni punonjës të huaj, edhe ata po përgatiten”, shton përfaqësuesi i fasoneve.  

https://a2news.com/2022/04/20/prence-qeveria-si-zorro-fut-duart-ne-xhepin-e-bizneseve-kjo-eshte-mine-me-sahat/

Por për ekspertin e çështjeve sociale Kosta Bajraba, problemi qëndron diku tjetër. “Është normale që duke ditur që forca e punës vendase nuk e preferon më punën e krahut, biznesi do të shohë në tregun e huaj, është logjikë ekonomike. Punë krahu bëjnë edhe jashtë shtetit, por paguajnë më mirë andej, ashtu si një punëtor nga Pakistani merr më shumë këtu sesa në vendin e tij”. Sipas tij, zgjidhja është te produktiviteti. “Punëtori shqiptar duhet të prodhojë më shumë. Produktiviteti lidhet me një serë faktorësh, si teknologjia etj. Mund të ankohemi sa të duam por nëse një sipërmarrje nuk prodhon më shumë me kosto sa më të ulët, nuk funksionon”. 

Prençe replikon se “në fasoneri, në 2019 ishin 70 mijë të punësuar në Shqipëri dhe gati 900 milionë euro eksport. Produktiviteti i punëtorit shqiptar ishte gjithsesi në 55% nga ato të rajonit. Manifaktura shqiptare ka investimet më bashkëkohore, sepse biznesi nuk pret qeverinë. Ne kërkojmë nga qeveria një mbështetje për të rritur punësimin,  sepse jemi në krizë globale dhe  kemi shansin që të shndërrohemi si rajon në një Azi europiane në këtë sektor ekonomik. Kemi 97 mijë të papunë që i kushtojnë shtetit 4 milionë euro në muaj, dhe nuk detyrohen të punojnë, mos të presin 13 mijë lekëshin. Një pjesë e punëtorëve në këtë sektor nuk dinë të lexojnë, nuk kanë kulturën e punës”, ndërkohë që Bajraba mendon se rritja e rrogave do ta ndryshonte këtë mentalitet.

Ndërkohë që ekspertja për Ekonominë Teuta Nunaj nënvizon se pikërisht sektorët që kërkojnë punëtorë me më pak kualifikim janë më të goditurit nga kriza, gazetarja Mirilda Tili shton se “mendësia komuniste e 8 orëve në punë është ende një tregues i fortë” që frenon zhvillimin e tregut të punësimit shqiptar.

Për Diana Guxhollin, “situata është e dëshpëruar, në mbarë vendin është qeveria që duhet të ndërhyjë që të orientojë bizneset aty ku ka produktivitet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos