
Emigracioni dhe vdekjet nga Covid kanë tkurrur popullsinë shqiptare dhe INSTAT parashikon të vijojë të tkurret dhe të plaket. Në të dhënat e fundit të tij raportohet se në janar popullsia ishte më pak se 2.8 milionë banorë, numri më i ulët në dekada, ndërsa pas 40 vitesh rrezikon të tkurret në 1,4 milionë banorë.
Për shkaqet që e kanë çuar popullsinë shqiptare drejt emigrimit, por edhe efektet që pasojnë në ekonomi, punësim dhe në pensione, diskutuan në studion e A2 Business ekspertja për çështjet ekonomike Zana Guxholli, eksperti për çështjet sociale Kosta Bajraba, eksperti Edvin Prençe, ekspertja Teuta Nunaj dhe gazetarja e çështjeve ekonomike Mirilda Tili.
Për Guxhollin emigrimi është një fenomen shumë shqetësues që vjen për shkaqe kryesisht ekonomike dhe mungesës së meritokracisë.
"Është shumë shqetësuese se numri i popullsisë në një vend të vogël është shumë i ndjeshëm dhe nga shumë pikëpamje është e lidhur me plakjen, zhvillimet ekonomike, tregun e punës skemën e pensioneve. Ikin për standarde më të mira jetese, nuk gjejnë vend në tregun e punës, ikin se jemi vendi më i varfër në Europë dhe me paga të ulëta dhe me të ardhurat që realizojnë e kanë të vështirë të krijojnë familje dhe t’ia dalin. Mua më dridhet dora kur u jap rekomandime studentëve të mi për t’u larguar. Ata largohen se nuk gjejnë punën që dëshirojnë dhe pasi e gjejnë zhgënjehen nga burokracia. Ne largohemi për çështje bazike. Shqipëria është vendi i dytë në Europë për kërkesat e larta të azilantëve. Nuk ke më infermierë, doktorët, po ikin studentët po të ikin”.
Sipas saj duhet të forcohet sektori privat se rrit produktivitetin, pagat e mirëqenien. “Nëse ky sektor gjendet i pasigurt ne këtë situatë do të kemi. Rritja e pagës është propagandistike e formale”.
Në të njëjtën linjë me Guxhollin edhe ekspertja Teuta Nunaj, thekson se arsyeja kryesore e emigrimit është ekonomia, mungesa e shpresës dhe perspektivës. Sipas saj përkundër dekadës së parë që largoheshin individë tani po largohen familje të tëra, Kjo sipas Nunaj do të sjellë pasoja të rënda në skemën e pensioneve dhe punësimin.
“Po flasim për largimin e popullsisë rezidente në Shqipëri, arsyeja kryesore e emigrimit është ekonomike. Një nga arsyet është dhe mungesa e shpresës dhe perspektivës nëse në dekadën e parë kishim individë që largoheshin, tani po largohen familje të tëra. Efektet tani po i shohim, po do t’i ndjejmë pas 10 vjetësh kur të na preket sistemi i pensioneve se tani po ndjejmë vetëm punësimin. Individët e kualifikuar nuk e gjejnë veten. Pse nuk qëndrojnë? Është ky mjedis jo stimulues për zhvillimin e karrierës. Nëse për një komb për t’u zhvilluar 30 vite janë pak, për një individ 30 vite janë shumë”.
Por për ekspertin Bajraba emigracioni i sotëm nuk është zgjidhje, sikurse ishte në vitet ‘90-’91, por është zgjedhje.
“Nëse në vitet ‘90-‘91 shqiptarët largoheshin si zgjidhje, me kalimin e kohës dhe gjatë 3 dekadave migratore ky largim është edhe zgjedhje. Emigrimi ka logjikë të vetën. Ne mund ta kërkojmë përgjegjësinë te qeveria, partnerët ndërkombëtarë, por flukset migratore kanë logjikë dhe ushqejnë njëra-tjetrën. Asnjë mjek nuk ikën nga Shqipëria se nuk ka punë, se sistemi shëndetësor në Shqipëri ka nevojë ulëritëse për mjekë. Por sistemi i pagave nuk është në dëshirën e qeverisë e biznesit, është produkt i burimeve e kapaciteteve që ka shoqëria për të paguar punën”.
Edhe gazetarja Mirilda Tili e ka cilësuar situatën alarmante, pasi po largohet stafi i kualifikuar.
“Po largohen elita dhe staf i kualifikuar, edukuar e trajnuar dhe jo se u mungojnë të ardhurat, por kanë shkuar për edukimin e fëmijëve. Është zgjedhje. Duket si lëvizje e koordinuar. Në të gjithë Ballkanin është kjo situatë. Stafet po përthithen me ofertë për cilësi jete dhe një individ që largohet me këtë status, është alarmante. Të gjithë e shohin shpresën jashtë, atmosfera e brendshme është më e rëndë sesa jashtë”. (A2 Televizion)