Rusia po bën përparime të rëndësishme në fushëbetejë, duke marrë mbi 10 kilometra territor në një ofensivë të shpejtë drejt qytetit strategjik Pokrovsk. Sipas ushtrisë ukrainase, rreth 110 mijë trupa ruse po avancojnë në këtë drejtim, duke zhvilluar luftime të ashpra për të depërtuar në mbrojtjet e Kievit, shkruan A2 CNN.
“Situata është e vështirë dhe dinamike, por po merren të gjitha masat për të zbuluar dhe neutralizuar grupet armike,” njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë para samitit të shumëpritur në Alaska mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, takimi i parë mes dy liderëve që nga viti 2021. Trump e ka përshkruar takimin si një mundësi për të dëgjuar idetë e Putinit për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, ndërsa ka lënë të kuptohet se paqja mund të kërkojë shkëmbim territoresh – deklaratë që ka shkaktuar shqetësim në Kiev dhe Evropë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia nuk po përgatitet të ndalë luftën, por po planifikon ofensiva të reja. “Ne shohim lëvizje që tregojnë përgatitje për operacione të reja sulmuese,” tha ai.
Ndërkohë, hartat e publikuara nga monitoruesi ukrainas DeepState tregojnë se përparimi rus është bërë në një sektor të ngushtë të frontit lindor brenda vetëm dy ditësh, duke rritur presionin mbi forcat ukrainase dhe pritshmëritë para takimit vendimtar në Alaska. (A2 Televizion)