Po të jesh trajner, më mirë mos shko të punosh në këto ekipe

Nga A2 CNN
28 Maj 2020, 13:24 | Futboll

Një nga raportet më kurioze të Observatorit të Futbollit CIES, që çdo javë përmbledh tematika të ndryshme të bazuar në statistika, është ai mbi ekipet që ndërrojnë më shpesh trajnerët e tyre.

Duke parë uljet dhe ngritjet e tyre në Superioren shqiptare, të gjithë do të mendonim që vendi ynë të do ishte në majat e klasifikimit. Por në fakt nuk është kështu, dhe me sa duket ka presidentë edhe më të paduruar jashtë kufijve tonë.

Sipas CIES, që ka analizuar 84 vende të ndryshme, është Bolivia vendi ku roli i trajnerit është më  i paqëndrueshëm, me 8 ekipe që kanë ndryshuar mesatarisht 9 trajnerë nga viti 2015. Por nuk mungojnë edhe vendet europiane, me 5 ekipe në 10 të parat.

Ekipi më i pasigurt në botë për kolegët e Klopp dhe Guardiolës ndodhet pikërisht në Bolivi, quhet Real Potosi dhe ka ndërruar 20 trajnerë në 5 vitet e fundit. Praktikisht, trajnerët në atë ekip nuk arrijnë as të mbajnë mend emrat e lojtarëve. Ndjekin ekipin bolivian peruvianët e Cusco dhe paraguaianët e Club Sportivo Luqueno me 16.

Në Europë, rekordi shkon në Bosnje, me Zenicën që ka ndërruar 14 të tillë, ndërkohë që ekipi më i njohur është sigurisht Udinese e Serie A, që në 5-vjeçarin e fundit ka ndërruar 10 të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos