Policët në përgjim, SHÇBA drejt shkrirjes, Çuçi: Kthehet në agjenci inteligjence

Nga A2 CNN
21 Tetor 2021, 13:35 | Aktualitet
Policët në përgjim, SHÇBA drejt shkrirjes,

Komisioni i Ligjeve mori në administrim projektligjin për shkrirjen e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe ankesat pranë Ministrisë së Brendshme dhe krijimit të një institucioni të ri, Agjencinë për Mbikëqyrjen Policore.

Prezantimin e Projektligjit e bëri vetë Ministri i Brendshëm i cili u kujdes të nënvizonte se me krijimin e Agjencisë së re, tashmë uniformat blu, Garda e Republikës dhe shërbimi zjarrfikës mund të përgjohen nga kjo strukturë. 

“Shndërrimi e shërbimit apo të agjencisë si një agjenci inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e policisë”, tha Çuçi.

Jo e qartë në prezantim ishte arsyeja se përse nevojitet kjo masë e re. “Kjo e gjitha bëhet për të rritur besimin e publikut, jo për të ndëshkuar subjektet. Mbikëqyrja është më shumë sesa thjeshtë vëzhgim dhe raportim”, tha ministri.

Për opozitën në komision, kjo nismë është delikate dhe kërkoi që në sallë të jetë i pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Shtetit pasi varësit e tij janë subjekt direkt i nismës. 

“Ne duhet të jemi në komoditetin maksimal për të vendosur ndërmjet përndjekësit që është Ministri dhe të përndjekurit që është policia e shtetit”, u shpreh Alibeaj.

Konsensusi në sallë u gjet pas propozimit të Fatmir Xhafajt, i cili kërkoi zhvillimin e një mbledhje të përbashkët me Komisionin e Sigurisë përpara miratimit të nismës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos