Policia mësyn “çerdhen” e prostitucionit te rruga Bardhyl, arrestohet një 24-vjeçare

Nga A2 CNN
19 Korrik 2023, 10:52 | Kronikë
Policia mësyn “çerdhen” e prostitucionit te rruga

Një qendër masazhesh në rrugën “Bardhyl”, e përshtatur për ushtrimin e prostitucionit është mësyrë nga policia e shtetit, që ka arrestuar në flagrancë një 24-vjeçare dhe ka proceduar në gjendje të lirë tre të tjera.

Në kuadër të operacionit të koduar "Spa 19", është shpallur në kërkim edhe një 36-vjeçar, i cili rezulton të jetë pronari i qendrës së masazheve.

Po ashtu policia ka sekuestruar 51.500 lekë të rinj dhe 150 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, si dhe 3 aparate celulare.  

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Spa 19", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases:

K. I., 24 vjeçe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. K., 33 vjeçe, E. L., 33 vjeçe, dhe E. O., 30 vjeçe, punonjëse në këtë qendër masazhesh, të gjitha banuese në Tiranë.  

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi O. Rr., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi O. Rr. administronte një qendër masazhesh, në Rrugën Bardhyl, në të cilën ishin të punësuara 23-vjeçarja e arrestuar dhe tre shtetaset e tjera. Përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, në këtë subjekt ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.      

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)

Njoftimi i policisë

A2 CNN Livestream

Latest Videos