“Mësymja” e SPAK në pasuritë e Arben Ahmetajt, sekuestrohen apartamente, llogari bankare dhe pajisje elektronike

Nga A2 CNN
18 Korrik 2023, 15:42 | Kronikë
“Mësymja” e SPAK në pasuritë e Arben Ahmetajt,

SPAK ka reaguar zyrtarisht pas aksionit të sotëm, ku ka ushtruar kontrolle në disa banesa, nga ku njofton se janë gjetur dhe sekuestruar një sërë dokumentesh si kompjuterë, telefona celularë, USB etj.

Po ashtu, sipas SPAK, janë sekuestruar gjithashtu edhe 6 pasuri, nga të cilat katër janë apartamente dhe dy llogari bankare, të cilat arrijnë vlerën 124 300 euro (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro), të gjitha në emër të Arben Ahmetajt.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadrin e hetimit të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, të regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 248, 260, 245, 257/a dhe 287 i K.Penal (procedim penal  i regjistruar ndër të tjerë edhe në ngarkim të personit nën hetim Arben Ahmetaj), sot, më datë 18.07.2023 ka proceduar me kryerjen e kontrolleve dhe sekuestrove si më poshtë:

Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me nr.295 akti datë 16.07.2023 dhe nr.297 akti datë 17.07.2023 ka ushtruar kontroll në 7 (shtatë) banesa. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Në respektim të vendimit nr. 296 akti datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro).”

Njoftimi i SPAK pas aksionit

Kujtojmë se, pas nisjes së aksionit të SPAK, ka reaguar me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook vetë Arben Ahmetaj, i cili thotë se të moshuarve në familjen e tij u janë marrë edhe celularët “në kërkim të provave për inceneratorët.”

Ish-numri dy i qeverisë Rama, për të cilin thuhet se aktualisht ndodhet në Britaninë e Madhe, shprehet se ajo që duhet të bëjnë autoritetet është që të merren me fondet e inceneratorëve, dhe jo me ato që ai i cilëson si “1.8 milionë euro imagjinarë” duke hedhur poshtë zërat për transferta të mundshme.

Kuvendi miratoi me 117 vota pro kërkesën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që i hap rrugën arrestimit dhe kontrollit të banesës së ish-zv.kryeministrit.

Avokati i Arben Ahmetajt, Henrik Ligori zbuloi për mediat se klienti i tij aktualisht ndodhet në Angli, ku po qëndron pranë familjes së tij.

Në lidhje me pyetjen a do të kthehet, ish-zv.kryeministri për t’u përballur me drejtësinë, Ligori u shpreh se Ahmetaj do të vijë në Shqipëri kur të ketë lirinë.

“Zoti Ahmetaj ndodhet pranë familjes së tij, pranë vajzës së tij në Angli. Do të vijë në Shqipëri kur të ketë liri”, deklaroi avokati. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/18/bkh-i-kontrolloi-banesat-ahmetaj-raprezale-ne-familjen-time-merruni-me-fondet-e-inceneratoreve/
https://a2news.com/2023/07/18/hetimi-ndaj-ahmetajt-bkh-shkon-te-banesa-e-te-afermve-te-ahmetajt/

A2 CNN Livestream

Latest Videos