
Gjergji Vurmo, hulumtues nga “Instituti për demokraci dhe ndërmjetësim”, në një lidhje me studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, u shpreh se “politika e Bashkimit Evropian lidhur me zgjerimin po shkërmoqet”.
“Unë mendoj se nuk ka më rëndësi rigjallërimi i politikës së zgjerimit. Rasti i Malit të Zi dhe i Serbisë ka treguar që sa më shumë kapituj që të hapen, nuk do të thotë se vendi bëhet më demokratik. Në këtë kuptim, prandaj i jap të drejtë kryeministrit Edi Rama që as nuk ka komentuar në lidhje me lajmin se Bullgaria ka propozuar hapjen e negociatave me Tiranën, por jo me Shkupin”, deklaroi Vurmo.
Sipas tij, “vetoja bullgare, bashkë me atë franceze e holandeze më parë, e kanë bërë tashmë dëmin”.
“Vetoja bullgare i ka dhënë goditjen përfundimtare politikës së zgjerimit. Unë jam mbështetës i zgjerimit të BE-së, por nëse shohim 10-vjeçarin e fundit, qasja e BE-së ndaj rajonit më shumë e ka dëmtuar përpjekjen tonë për të ndërtuar demokracinë, sesa ka ndihmuar. Politika e zgjerimit ka nevojë për një ridimensionim total. Duhet një politikë që bazohet në nevojën për të demokratizuar shoqëritë në Ballkanin Perëndimor dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të tyre”, theksoi Gjergji Vurmo. (A2 Televizion)