
Që kur mercenarët e Wagnerit e kthyen pakënaqësinë në Donbas në një kryengritje që marshonte drejt Moskës, grupi paraushtarak nuk ka qenë kurrë më i njëjti. Dhe as pesha e tij në gjeopolitikën ndërkombëtare. Kremlini mori kontrollin e situatës dhe shumë pjesëtarë të Wagner-it përfunduan “të mërguar” në Bjellorusi.
Shumë qeveri nuk e pëlqejnë praninë e grupit Wagner pranë tyre, sidomos pasi kanë parë se çfarë janë të aftë të bëjnë. Ka pasur disa drejtues që ia kanë shprehur Minskut, këtë shqetësim. Siç ka bërë publike ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, si qeveria e tij, ashtu edhe ajo e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, i kanë kërkuar regjimit të Lukashenkos që mercenarët të largohen menjëherë nga Bjellorusia.
“Ne kërkojmë që regjimi i Lukashenkos të largojë menjëherë grupin Wagner nga Bjellorusia dhe që emigrantët e paligjshëm të largohen menjëherë nga zona kufitare”, ka kërkuar Kaminski. Ai e ka bërë këtë deklaratë në Varshavë, pas takimit me homologët e tij në vendet baltike për të diskutuar situatën.
Gjithashtu, bëri edhe një paralajmërim të fortë: “Nëse ndodh një incident në kufirin me Bjellorusinë, pavarësisht nëse është një kufi polak, lituanez apo letonez, ne do të hakmerremi menjëherë dhe do të mbyllim të gjitha pikat kufitare”.
Këto fjalë vijnë, sipas Kaminskit, pas një “përshkallëzimi” të tensionit në kufi me rritjen e një “presioni migrator” të qëllimshëm. Me fjalë të tjera, Minsku, sipas polakëve, i përdor njerëzit si “armë” për të destabilizuar Varshavën. Ministrja e Brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite, vendi i së cilës është gjithashtu i prekur nga e njëjta strategji, nuk ka ngurruar të thotë se dy pika të tjera kufitare do të mbyllen në vendin e saj “së shpejti”. (A2 Televizion)