Porosia e komisionerit Hahn: Rrisni ritmin e reformave!

Nga A2 CNN
4 Korrik 2019, 14:33 | Politikë
Porosia e komisionerit Hahn: Rrisni ritmin e reformave!

Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, tha në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, se të gjitha vendet e rajonit duhet të rrisin ritmin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë.

Ai vlerëson reformat e Shkupit dhe Tiranës dhe paralajmëron se mungesa e vlerësimit për shtetet që kanë bërë arritje historike do të dëmtojë besueshmërinë e Unionit Europian.

“Mbështes rekomandimet e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore dhe kam besim se Këshilli i tetorit do të ndjekë rekomandimin tonë pozitiv. Të dyja vendet kanë përmbushur reforma, veçanërisht në fushat e përmendura në konkluzionet e Këshillit të qershorit të 2018-s”, tha Hahn.

Më tej, ai theksoi se Bashkimi Europian do të vazhdojë mbështetjen e reformave të Ballkanit Perëndimor. Një tjetër përkushtim që Unioni do të vijojë të ndjekë është ai i investimeve ekonomike në rajon, thekson Hahn.

Eurokomisioneri ndër të tjera i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për tarifën 100% të vendosur nga Prishtina: “Kundërshtojmë me forcë vendosjen e pengesave tregtare si mjet presioni politik”.

Në fund ai i kërkoi liderëve të Ballkanit që të punojnë për marrëdhënie të mirë fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe pajtim, pasi këto janë kushte për anëtarësim në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos