
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë kanë miratuar të vetëm ndryshimet ligjore që qeveria u ka bërë kontratave të Partneritetit Publik Privat, një ndër çështjet më të debatuara, jo vetëm mes ekspertëve të ekonomisë, por edhe politikës.
Për A2 CNN, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj shpjegoi efektet që do të kenë ndryshimet që iu bënë ligjit të PPP-ve.
“Ligji bën ndryshime cilësore proceduriale që ndihmojnë administratën dhe Ministrinë e Financave për monitorimin më të mirë të koncensioneve dhe të kontratave të partneritetit publik privat. Ndryshimi i parë cilësor është kufizimi i ofertave të pa kërkuara dhe lënia e tyre vetëm për 3 sektorë strategjikë që janë, portet, aeroportet dhe energjia dhe shpërndarja e energjisë”, u shpreh kryetari i komisionit të Ekonimisë, Arben Ahmetaj.
Më herët në komision, opozita propozoi ndryshime për PPP-të, ashtu si edhe grupet e interesit. Por me shumë gjasë, në seancë plenare, aty ku do të thuhet edhe fjala e fundit, drafti do të kalojë sipas variantit të qeverisë. (A2 Televizion)