Pranohet kërkesa e Vetëvendosjes, Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Thaçit

Nga A2 CNN
1 Maj 2020, 18:42 | Kosova
Pranohet kërkesa e Vetëvendosjes, Gjykata Kushtetuese pezullon

Gjykata Kushtetuese në Kosovë i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje. Dekreti i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin mandatoi Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës si kryeministër për të formuar qeverinë e re, është pezulluar. Kjo bëhet e ditur nga avokati i njohur në Kosovë, Arianit Koçi, i cili tha se shumë shpejt do të vijë dhe zyrtarizimi i vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

“U pezullua! S’kishte rrugë tjetër. Kosova s’po mundet me një Qeveri e lëre më me dy. Gjykata Kushtetuese po e ndërton narracionin se Kosova është shtet normal me politikanë adoleshentë”, tha Arianit Koçi.

Këto zhvillime vijnë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës ndërmori vendime të rëndësishme gjatë mbledhjes së kryesisë. Lideri i kësaj force politike, Isa Mustafa shprehu gatishmërinë për t’u mbledhur në çdo kohë në kuvend për qeverinë e re, teksa shton se do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket këtij procesi.

“Në asnjë rast nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të Thaçit sepse konsiderohet që të gjitha arsyet që janë dhënë në kërkesën e VV-së janë paragjykime dhe nuk janë të pabazuara. Mirëpo, mbetet kjo çështje e Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ne jemi të bindur se procesi është i rregullt dhe kushtetues dhe nuk ka asnjë arsye që të merret kjo masë. Në qoftë se merret vendimi nga Gjykata Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në kuvend fare”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK.

Mustafa njoftoi se marrëveshja me AKR-në për koalicion nuk kanë përfunduar, edhe pse pranoi se është arritur një dakordësi paraprake. Ai tha se nuk ka asgjë për të fshehur në akordin me listën serbe dhe se nuk ka asnjë obligim specifik. Ndërkaq, i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti njoftoi se qeveria e tij do të ketë 16 ministri.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos