Presidencialet në SHBA, Biden dhe Harris sulmojnë presidentin Trump

Nga A2 CNN
13 Gusht 2020, 10:57 | Bota
Presidencialet në SHBA, Biden dhe Harris sulmojnë presidentin Trump

Kandidati demokrat për Presidencën Joe Biden dhe partnerja e tij në garë, Kamala Harris sulmuan kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump si një udhëheqës të paaftë, i cili e kishte coptuar Ameriken. Dyshja u shfaq për herë të parë së bashku një ditë pasi Biden zbuloi se 55-vjeçarja do të kandidonte krah tij, për postin e zëvendëspresidentes.

Eventi i së mërkurës në Wilmington Delaware nuk ishte i hapur për publikun, për shkak të shqetësimeve për koronavirusin. Të dy kandidatët mbanin maska ndërsa folën për një grup gazetarësh në distance

“Zgjedhjet që do të bëjmë këtë nëntor do të përcaktojnë të ardhmen e Amerikës për një kohë shumë të gjatë. Donald Trump i ka nisur që tani sulmet, duke e quajtur Kamalën të keqe, e të zhurmshme. A është ndokush i befasuar që Donald Trump ka probleme me gratë e forta?”, u shpreh Biden.

Ndërsa Kamala Harris tha “Jam thellësisht e nderuar nga kjo përgjegjësi dhe jam gati të nis punën. Pas zgjedhjeve paraprake më kompetitive në histori, vendi mori mesazhin se Joe është njeriu që do të na çojë përpara. Dhe unë jam krenare të qëndroj krah ti”. 

Harris, bijë emigrantësh nga India dhe Xhamajka tha se Amerika po qante për lidership, pasi kishte një president që shqetësohej më shumë për veten se sa për njerëzit që e zgjodhën atë.

Dy ish rivalët për kandidaturën e Partisë Demokratike u zotuan se do të punojnë "së bashku për të rigjallëruar shpirtin e kombit dhe për të luftuar për familjet që punojnë për të çuar vendin përpara".  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos