
Giorgia Meloni është gati të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë. Liderja e Fratelli d’Italia, bashkë me dy partnerët e tjerë të koalicionit, Matteo Salvini të Legës dhe Silvio Berlusconi të Forza Italia, zhvilluan një takim konsultues 11-minutësh me presidentin e vendit, Sergio Mattarella, duke i kërkuar dorëzimin e mandatit për formimin e qeverisë së re.
Një tregues i qartë se dallimet mes palëve dhe mosmarrëveshjet e fundit janë tejkaluar. “U pajtuam me presidentin Mattarella mbi nevojën për t’i dhënë këtij kombi një qeveri të resa më shpejt që të jetë e mundur, pasi emergjencat me të cilat përballemi janë të shumta, si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare. i gjithë koalicioni, i cili jo rastësisht u paraqit bashkë në konsultime, dha një indikacion se kemi një përfaqësim të unifikuar të mazhorancës parlamentare”, tha Meloni pas takimit.
Kreu i shtetit italian pritet që gjatë ditës të thërrasë Melonin në presidencë për t’i dorëzuar mandatin. Liderja e Fratelli d’Italia, e cila e ka nisur karrierën politike në një lëvizje neofashiste, pritet që gjatë fundjavës të betohet si kryeministrja e parë grua dhe e djathtës ekstreme që prej Luftës së Dytë Botërore. Përpara se të unifikonte koalicioni tre-partiak, pati një përplasje me Berlusconin, pasi ky i fundit shkëmbeu letra me fjalë të ëmbla me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ndërkohë, Meloni ka bërë gati edhe emrat e qeverisë së saj, me mediat italiane që shkruajnë se listën e ka përpiluar e vetme, e mbyllur në shtëpinë e saj. Mes atyre që spikasin është emri i Salvinit që mund të marrë drejtimin e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Antonio Tajani i Forza Italia mund të udhëheqë Ministrinë e Jashtme, Giancarlo Giorgetti i Legës mund të ulet në kolltukun e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa në atë të Brendshme përflitet Matteo Piantedosi dhe për mbrojtjen qarkullon emri i bashkëthemeluesit të Fratelli d’Italia, Guido Crosetto. Megjithatë lista përfundimtare ende nuk është bërë publike. (A2 Televizion)