Presidenti dekoron Mujo Ulqinakun: Simbol i rezistencës kundër fashizmit

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2019, 08:53 | Politikë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në prag të festimeve të 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” heroin Mujo Ulqinaku.

Dekorata e akorduar në nder të Mujo Ulqinakut me motivacionin "Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të sovranitetit territorial të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, si shembull monumental i patriotizmit dhe atdhedashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, si model i ushtarakut që i qëndron deri në fund betimit para Flamurit Kombëtar".

Kreu i Shtetit deklaroi se Ulqinaku është një hero i rezistencës dhe se ai bashkë me shqiptarë të tjerë i treguan botës së dinjiteti kombëtar është më i rëndësishëm se jeta pa dinjitet e liri

“Kush më shumë se Mujo Ulqinaku, simboli i rezistencës kundër pushtimit fashist, e meriton këtë Dekoratë me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut? Shumë vende të tjera në Europë ndihen të turpëruara se nuk bënë asnjë rezistencë ndaj pushtimit Nazifashist. Ne shqiptarët jemi krenarë se kemi historinë e lavdishme të Heroit tonë të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, që bashkë me disa shqiptarë të vërtetë, edhe pse të braktisur, i treguan mbarë botës se dinjiteti kombëtar dhe besnikëria ndaj Flamurit Kombëtar janë më të rëndësishme se jeta pa dinjitet dhe pa liri”, u shpreh presidenti Meta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos