
Partia Socialiste nisi pasditen e sotme takimet konsultuese me përfaqësuesit e shoqërisë civile për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.
Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se vendit i duhet një president që të gëzojë autoritetin që i jep Kushtetuta.
“Ftoj çdo organizatë të shoqërisë civile të vijë me propozime dhe shoqëruar edhe me argumentin përkatës. Këto do të na ndihmonin për të krijuar profilin e presidentit të Republikës që duam. Ne nuk duam një president për PS-në, por një president për Shqipërinë dhe ky është argumenti kryesor. Nuk na duhet një përfaqësues ekskluziv i ynë, por një president që të gëzojë autoritetin që jep Kushtetuta”
Balla kërkoi nga Shoqëria Civile që propozimet e tyre për emra konkretë kandidaturash t’i dërgojnë në email-in zyrtar të PS-së, jo të thuheshin gjatë këtij takimi.
“Mendoj që në këtë fazë të parë do mirëprisnim më shumë sugjerime për procesin, kandidaturën ta bëni përmes adresës email, se nga eksperienca ime, pa marrë lejen e personit është pak e vështirë t'i bësh emrin propozim”, tha Balla. (A2 Televizion)