
Në kuadër të 30-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Azerbajxhan, Presidenti Bajram Begaj me ftesë të homologut të tij Ilham Aliyev zhvilloi një vizitë shtetërore në Baku. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Aliyev njoftoi se grupet e punës mes dy vendeve kanë nisur procedurat e para për të studiuar mundësitë e ndërtimit të një rrjeti shpërndarës të gazit në Shqipëri.
“Grupet e punës do të bëjnë një studim fizibiliteti e pastaj do të vijojmë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit. Kemi diskutuar se si mund të zhvillojmë infrastrukturën tonë nga Shqipëria në vendet tona fqinje. Jam i kënaqur që kemi ambasadën tonë në Tiranë”, tha Aliyev.
Kjo deklaratë e gjeti mbështetjen e Kreut të Shtetit, Bajram Begaj, sipas të cilit ky projekt do të sjellë përfitime për Shqipërinë, njësoj si ai i TAP-it: “Risolla në vëmendjen e tij disa nga hapat e suksesshme për afrimin mes dy vendeve. Shqipëria dhe Azerbajxhani janë të lidhura ngushtësisht në kuadrin energjetik. Përftimet e Shqipërisë nga TAP kanë qenë të shumta. Gazsjellësi adriatiko-jonian do të kontribuojë edhe më tej në rajon. Shqipëria është vend tranzit i gazit dhe ky është realitet tashmë”.
Hapja e ambasadave mes dy vendeve vitin e kaluar, sipas dy presidentëve, shënoi një pikë të rëndësishme të marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Azerbajxhan. (A2 Televizion)