Pentagoni do të tërheqë shumicën e trupave amerikane nga Somalia me urdhër të Presidentit Donald Trump, për të zvogëluar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në misionet e antiterrorizmit jashtë vendit.
Në një deklaratë të shkurtër Pentagoni njoftoi se shumica e trupave amerikane dhe njësive në Somali do të tërhiqen në fillim të vitit 2021. Ka rreth 700 forca në këtë vend të Afrikës, për të trajnuar dhe këshilluar forcat vendase në një luftë kundër grupit ekstremist al-Shabab, një filial i al-Kaidës.
Ky vendim i Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Somalia shkaktoi tronditje te disa somalezë, të cilët i bënë thirrje presidentit të ardhshëm të SHBA-së për të ndryshuar vendimin.
"Vendimi i SHBA-së për të tërhequr trupat nga Somalia në këtë fazë kritike në luftën e suksesshme kundër al-Shabaab dhe rrjetit të tyre global terrorist është jashtëzakonisht për të ardhur keq", tha senatori Ayub Ismail Yusuf në një deklaratë për Reuters.
Kur të marrë detyrën në 20 janar presidenti i zgjedhur Joe Biden mund të anulojë tërheqjen e Presidentit Trump ose të bëjë rregullime të tjera për të pasqyruar përparësitë e tij kundër terrorizmit.

Presidenti Trump kohët e fundit urdhëroi tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe Iraku dhe ai pritej të tërhiqte një pjesë ose të gjitha forcat nga Somalia. Gjenerali Mark Milley, shefi i shtabit të përgjithshëm, kishte thënë të mërkurën se struktura e ardhshme e pranisë ushtarake amerikane në Somali ishte ende duke u debatuar.
Prania e modifikuar amerikane, tha Gjenerali Milley, do të përbënte "një prezencë relativisht të vogël, kosto relativisht të ulët për sa i përket numrit të personelit dhe për sa i përket parave". Ai nuk dha asnjë specifikë, por theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara për kërcënimin e paraqitur nga al-Shabab, të cilin ai e quajti "një zgjatim i al-Kaidës", grupi ekstremist që planifikoi nga Afganistani sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
"Ata me të vërtetë kanë një farë shtrirjeje dhe ata munden, nëse lihen pa mbikqyrje, të kryejnë operacione kundër jo vetëm interesave të Shteteve të Bashkuara në rajon por edhe ndaj territorit amerikan", tha ai. "Kështu që ndaj tyre duhet vëmendje". Duke vënë në dukje se Somalia mbetet një vend i rrezikshëm për amerikanët, ai tha se një oficer i CIA-s u vra atje kohët e fundit.
Sekretari i përkohshëm i mbrojtjes, Christopher Miller, bëri një vizitë të shkurtër në Somali javën e kaluar dhe u takua me trupat amerikane. (A2 Televizion)