Presidentja greke provokon Turqinë, viziton ishullin “mollë sherri”

Nga A2 CNN
15 Shtator 2020, 10:40 | Bota

Për javë me radhë, Greqia dhe Turqia janë vënë përballë njëra-tjetrës në lindje të detit Mesdhe, duke rritur frikën për një përplasje të armatosur mes dy aleatëve në NATO që mund të shërbejë edhe si shkëndijë për një krizë të vërtetë në të gjithë rajonin.

Problemi mes palëve është se Turqia pretendon se ka të drejta për të kërkuar për gaz dhe naftë, në një zonë të cilën e pretendon dhe Greqia. E në vend që ta zgjidhin këtë çështje me dialog, Turqia dërgoi atje anije ushtarake dhe kërkimore në muajin gusht. Në ditët që pasuan, të dy palët kanë kryer paraqitje force me anije ushtarake atje.

Katerina Sakellaropoulou, presidentja e parë grua e Greqisë, vizitoi të dielën ishullin e vogël Kastellorizo, me një helikopter ushtarak të armatosur rëndë, duke shtuar edhe më tej tensionet. Ishulli i vogël me një shtrirje vetëm 6 kilometra, është ndër më lindorët e Greqisë dhe për mijëra vite ka qenë një prej vendeve më të përshtatshme për tregtarët që vepronin mes Lindjes dhe Perëndimit.

Sot, Kastellorizo është në qendër të sherrit për shfrytëzimin e burimeve të energjisë në Mesdheun lindor. Turqia thotë se Greqia e pretendon shfrytëzimin e ujërave në mënyrë të padrejtë, bazuar në ishuj të tillë si ky, duke mos lejuar Ankaranë që të eksplorojë ujërat e thella të detit Mesdhe. Izraeli dhe Egjipti kanë gjetur tashmë rezerva të mëdha gazi natyror në Mesdhe dhe ka arsye të forta për të besuar se ka ende shumë për t’u zbuluar.

Por të dielën, presidentja Sakellaropoulou u tha banorëve të ishullit se “veprimet e paligjshme të Turqisë kanë rritur tensionet më shumë se kurrë më parë, jo vetëm mes dy shteteve, por edhe me Bashkimin Europian dhe brenda NATO-s, duke kërcënuar stabilitetin dhe paqen në rajon”.

E pyetur për nxjerrjen në vrojtim të 18 avionëve luftarakë të fjalës së fundit të teknologjisë, marrë nga Franca, Sakellaropoulou tha për CNN: “Nuk është vetëm për të dërguar një mesazh, por nëse dëshiron të kesh paqe duhet të jesh gjithmonë i përgatitur mirë për luftë... Disa grekë të lashtë e kanë thënë këtë, duhet të jesh i përgatitur për gjithçka”.

Vizita e saj në ishullin Kastellorizo u kritikua nga ministri i Brendshëm i Turqisë. “Nuk kishte ishull tjetër ku të shkonte për të festuar. Sigurisht që na bezdisi”, tha Hulusi Akar për Agjencinë e Lajmeve “Anadolou”. Megjithatë, pranoi se Turqia ishte e gatshme për dialog. Ofertë, së cilës Greqia iu përgjigj duke thënë se do të ulej në bisedime vetëm nëse anijet turke largoheshin. Një gjë e tillë ka ndodhur, pasi një prej anijeve turke po rikthehen në port.

Kur Greqia dhe Turqia “i flasin ashpër” njëra-tjetrës, Fuqitë e Mëdha nuk duhet të kthejnë kokën. Edhe pse të dy vendet kanë pasur më shumë ditë të mira sesa të këqija, këtë herë “loja” është për diçka edhe më të madhe. Mesdheu është i mbushur me pasuri nënujore, ndërsa luftërat e drejtpërdrejta ose të tërthorta janë normalitet tashmë. Rusia dhe Turqia po zhvillojnë një të tillë në Libi, ku të dy palët kanë interesa. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lidhur një marrëveshje detare me Libinë, që i prish punë Rusisë dhe interesave të Emirateve të Bashkuara Arabe, por edhe një linje gazi që kalon nga Mesdheu lindor drejt Europës.

Izraeli ka gaz për të eksportuar, ndërsa Europa kërkon të ketë një alternativë furnizuese përveç Rusisë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili kundërshton praninë e Turqisë në Libi, ka dalë në krah të Greqisë. Edhe Shtetet e Bashkuara duket se janë krah të Greqisë këtë herë. Shtresat e lidhjeve ndërshtetërore rrezikojnë të nisin një reaksion zinxhir dhe, sikurse në rastin e hidrokarbureve të cilat kërkohen kaq shumë nga Turqia dhe Greqia, një gabim mund të sjellë një shpërthim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos