Pretendimet për vjedhje votash në SHBA, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron nisjen e hetimeve

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2020, 11:04 | Bota
Pretendimet për vjedhje votash në SHBA, Prokurori i

Departamenti i Drejtësisë, në Shtetet e Bashkuara, u dha prokurorëve federalë dritën jeshile për të hetuar parregullsitë e mundshme me votat në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Hetime të tilla zhvillohen normalisht nga shtetet e posaçme, por Prokurori i Përgjithshëm William Barr njoftoi përmes një memoje, se kur ka pretendime të besueshme për parregullsi që mund të kenë ndikim në zgjedhjet kombëtare, çështja mund t’u kalojë prokurorëve federalë.

 “Është përgjegjësi e departamentit të drejtësisë të sigurojë që zgjedhjet federale të jenë zhvilluar në atë mënyrë, që populli amerikan të ketë besim të plotë në procesin zgjedhor dhe qeverinë e tyre”, deklaroi William Barr.

Por, menjëherë pas publikimit të memos, zyrtari i lartë i Drejtësisë Rochard Pilger, i cili do të duhej të mbikëqyrte hetimet, dha dorëheqjen në shenjë proteste. Në një e-mail, ai u tha kolegëve se Barr po përmbyste politikën 40-vjeçare të mosndërhyrjes së departamentit të Drejtësisë në pretendimet për vjedhje votash para certifikimit të rezultateve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, refuzon të pranojë humbjen e zgjedhjeve, dhe ka ngritur pretendime të pambështetura në prova, për parregullsi të mundshme. Ndërkaq, ekipi i fushatës së tij po përpiqet të bllokojë certifikimin e fitores së Biden në shtetin kyç të Pensilvanisë. Fitorja e projektuar e demokratit në ketë shtet, i dha atij 270 votat e nevojshme elektorale për të siguruar biletën për në Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënësja e Trump, Kayleigh Mcenany, tha se beteja ligjore për të kontestuar rezultatet sapo kishte nisur. “Pozicioni ynë është i qartë. Ne duam të mbrojmë një numërim të ndershëm, të saktë e të ligjshëm. Duam transparencë maksimale. Duam që çdo votë e ligjshme të numërohet dhe që çdo votë e paligjshme të skartohet”, deklaroi ajo.

Por, pavarësisht kundërshtive, gazetarë që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë, thonë se presidenti është përgatitur të lërë detyrën dhe se po mendon për një rikandidim të mundshëm në vitin 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos