
Gazetarja e A2 CNN, Arestina Skënderi, sjell detajet e procesit të primareve të Partisë Demokratike, që u mbajtën në 56 bashki të vendit. Sipas informacioneve të siguruara nga Skënderi, në balotazh do të shkojnë këtë të diel të 11 dhjetorit, 7 bashki.
Përveç Tiranës, në balotazh do të shkojë edhe zgjedhja për kandidatin për Bashkinë Fier, që do të ndahet mes Evdar Kodhelit dhe Artur Mahmutajt. Në Krujë, Ndriçim Babasi dhe Agron Loka do të përballen në raundin e dytë më 11 dhjetor, ndërsa në Librazhd, Shefki Çota dhe Arjan Leka do të kërkojnë të marrin mbështetjen e anëtarëve dhe simpatizantëve të PD.
Në Dibër, në balotazh shkojnë Besnik Alku dhe Ismail Uka, të cilët në raundin e parë nuk u ndanë nga një diferencë e madhe votash. Në Mirditë, Albert Mylyshi dhe Aleksandër Lala do të përballen në raundin e dytë të dielën e ardhshme. Edhe në Mat ka balotazh, ku Skënder Gjuci dhe Bukurosh Ballabani do të provojnë në raundin e dytë të jenë kandidatët fitues për zgjedhjet vendore të 14 majit. (A2 Televizion)