Primaret në Elbasan, Boçi: Propozimi ishte unanim nga baza, gati për të lënë mandatin

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2022, 15:31 | Politikë
Primaret në Elbasan, Boçi: Propozimi ishte unanim nga baza, gati

Luçiano Boçi është kandidati i parë zyrtar i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 2023-shit. Nënkryetari i partisë është i vetmi në primaret e Elbasanit, pas një vendimi unanim të bazës, çka e bën atë automatikisht njeriun me të cilën opozita do të përpiqet të marrë drejtimin e Bashkisë së Elbasanit.

“Në dijeninë time, tani për tani, në mbarim të afatit rezultoj të jem kandidati i vetëm në primaret e PD-së për bashkinë e Elbasanit. Është merita e gjetjes së gjuhës së përbashkët mes personave me reputacion politik”, tha Boçi.

Kandidimin në Elbasan, numri dy i demokratëve e sheh si borxh ndaj qytetit të tij.

Mandatin e deputetit që e fitoi me mund në zgjedhjet e 2021-shit, duke thyer herësin në Elbasan, Boçi është i gatshëm ta dorëzojë, për t’i shërbyer qytetarëve që e zgjodhën.

Përveç Boçit,  A2 CNN mëson se edhe deputetja Elda Hoti është regjistruar në primaret për Bashkinë Kurbin, duke shprehur gatishmërinë për të dorëzuar mandatin, për t’u bërë pjesë e garës për pushtetin vendor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos