7 muaj pas tërmetit, ende nuk është i qartë fati i shumë objekteve të banimit në Durrës me dëme të klasifikuara si të rënda dhe që në gjuhën teknike klasifikohen si DS4 dhe DS5.
Pra ende nuk ka një vendim nëse këto objekte do të shemben apo riparohen. Kryebashkiakja në detyrë, Emiriana Sako në një deklaratë para mediave theksoi se procesi është mjaft kompleks dhe se bashkia është duke bashkëpunuar me institucionet e tjera të përfshira në procesin e Rindërtimit, për të pasur një përgjigje përfundimtare.
“Shtatë muaj nuk janë shumë për të dalë në konkluzione për shembjet ose rindërtimin. Po punojmë shumë në mënyrë që të organizojmë punën me institucionet përkatëse, dhe të kemi përgjigje sa më të shpejtë që të sigurojmë strehimin”, deklaroi kryetarja në detyrë e Bashkisë, Emiriana Sako.

Sakaq edhe emergjenca tjetër për qytetin e Durrësit, për gjetjen e një tjetër vendi për depozitimin e mbetjeve ka shtyrë bashkinë të mendojë për ndërtimin e një landfilli, por projekti është ende në fazën e idesë, pasi pushteti vendor dhe Qarku Durrës do të bëjnë studimin e fizibilitetit dhe vetëm më pas do të vijohet me fazat e mëtejme.
“Ne kemi marrë një zgjidhje të përkohshme, nga momenti që Porto Romano eshtë mbyllur dhe ka një projekt ambicioz aty për ta shndërruar në një park. Do ndërmarrim hapat ligjor për fizibilitetin. Do t’ia lemë muajve në vijim zgjidhjen finale”, deklaroi Sako.
Në ditët e para të muajit qershor, situata me plehrat në qytet ishte alarmante, për shkak të mbylljes së landfillit të Porto Romanos, ku ka nisur zbatimi i projektit për ndërtimin e Eko Parkut. Dhe për shkak të kësaj situate më 11 qershor, Këshilli Bashkiak i Durrësit, në mbledhjen e jashtëzakonshme të tij, shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore. (A2 Televizion)