
Pas disa javësh kur mendohej se pandemia e koronavirusit po braktiste vendet europiane, ajo ka dhënë sinjale të forta që mbetet ende e rrezikshme. Jo vetëm Ballkani Perëndimor, por edhe vende si Gjermania dhe Polonia kanë përjetuar lindjen e vatrave, veçanërisht në ambientet e punës, ku janë infektuar në pak ditë qindra persona.
Këtë e konfirmon për A2 edhe mjekja Aurora Meta Dollenberg, që mban edhe vendin e zëvendëskryetares të Federatës së Mjekëve shqiptarë në Europë.
“Mund të themi se nuk jemi ende në një valë të dytë, por në Gjermani ku ndodhem kemi shpërthime të izoluara të infeksionit, sidomos në zonën në afërsi të Dyseldorfit. Në zonën ku ndodhem një restorant ka arritur të infektojë 400 persona, diçka që ka bërë të ngrihet koeficienti në 4, një rritje drastike”, tregon ajo.
Por Meta-Dollenberg pohon se shtimi i rastit nuk shoqërohet me rritje në numrin e viktimave, ku rastet janë të identifikuar më së shumti me persona të moshuar a me sëmundje të rënda shoqëruese.
Sipas saj, testimi i vaksinës në Gjermani po vijon me vullnetarë, ku efektet anësore paraprake kanë qenë minimale dhe ku shpresohet se qarkullimi i saj mund të fillojë në periudhën e vjeshtës. Një dëshmi ndryshe vjen nga pediatrja Valbona Selimaj Kontoni, e cila ndodhet në Belgjikë.
“Belgjika nuk ka qenë histori suksesi në lidhje me pandeminë. Kemi pasur rreth 10 mijë viktima në një popullatë me 11 milionë banorë, gjysma e të cilëve kanë qenë të moshuar".
Sipas saj, shifrat po ulen në vendin ku ndodhet, por kjo nuk do të thotë kurrsesi që masat parandaluese duhet të anashkalohen, madje i bën një apel edhe bashkatdhetarëve shqiptarë.
“Shifrat e djeshme që tregonin 67 raste përkthehen në faktin që se në vend janë të janë infektuar të paktën 5 mijë veta, epidemia po shpërthen. I bëj apel bashkëqytetarëve tonë, sidomos me rihapjen e transportit publik, që të jenë fanatikë në masat e higjienës. Nuk është dita për t’u përqafuar. Kemi parë çfarë ndodhi kur u mbushën spitalet, në vende që kanë shëndetësi shumë më të përparuar se ajo e jona”, thotë ajo. (A2 Televizion)