
Reshjet e shiut, të shoqëruara me erë të fortë që përfshinë gjithë juglindjen e vendit, kanë sjellë dëme dhe pasoja edhe në qytetin e Korçës.
Pemë të thyera, stola të dëmtuar e deri te mbulesat e çative të rrëzuara, ishte panorama që mbizotëronte në rrugët e Korçës.
Punonjës të ndërmarrjes së punëve publike kanë nisur nga puna për largimin e pemëve të rrëzuara dhe prerjen e atyre që cilësohen të rrezikshme.
Situata e motit e 24 orëve të fundit ka shkaktuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike në shumë lagje të Korçës dhe në njësitë administrative. Në Dardhas të Pogradecit, e gjithë njësia është pa energji elektrike, ndërkohë që mbrëmja e djeshme ka kaluar në errësirë edhe për banorët e Trebinjës. (A2 Televizion)