
Për ekspertin e ekonomisë, Enea Janko fermeri shqiptar është në vështirësi të mëdha dhe e ka shumë të vështirë të konkurrojë me produktet nga vendet e rajonit dhe të BE.
Sipas Jankos, fermeri në Shqipëri përballet me kosto të larta të energjisë, ujit, farërave dhe subvencionet nga ana e qeverisë janë shumë të ulëta krahasuar me rajonin.
“Çdo moment është moment për të reflektuar. Ne kemi disa probleme. Një prej tyre është kostoja e lartë e prodhimit. Kemi problemet e konkurrencës me vendet e rajonit dhe vendet e tjera të BE, produktet e të cilave subvencionohen më shumë se produktet shqiptare. Ne duhet të bëjmë analiza. A konkurrojnë dot produktet tona? Nëse kostoja e karburantit, ujit, energjisë janë shumë më të larta se rajoni dhe subvencionet e këtyre vendeve janë shumë më të larta ne kot që diskutojmë. Fermerët tanë janë heronj. Një pjesë e produkteve të tyre hidhen pasi nuk dalin në treg”, tha Janko në A2 Business. (A2 Televizion)