Projektbuxheti 2022, shpenzimet rriten në 5,2 mld euro për të vijuar rimëkëmbjen

Nga A2 CNN
26 Tetor 2021, 16:25 | Ekonomi
Projektbuxheti 2022, shpenzimet rriten në 5,2 mld euro për të

Buxheti i vitit të ardhshëm do të arrijë vlerën e rreth 5.2 miliardë eurove, me objektiv vijimin e rimëkëmbjes ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë.

Të ardhurat që do të mbledhë qeveria do të rriten ndjeshëm krahasuar me këtë vit në 536.8 miliardë lekë, ndërsa nga krahu i shpenzimeve rritja do të jetë më e lehtë në 637.7 miliardë lekë. Por duke mbajtur sërish një nivel të lartë deficiti në 100.8 miliardë lekë.

Në prezantimin e ligjit më të rëndësishëm të financave publike, ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se ky buxhet do të mundësojë mbështetjen e biznesit dhe të punësimit, si dhe mbrojtjen e shtresave më të varfra.

Projektbuxheti ndërkohë nuk parashikon rritje të pensioneve, por indeksimin e përvitshëm dhe një bonus fundviti prej 28 milionë eurosh. Parashikohet rritja e ndihmës ekonomike, ndërsa për mësuesit, mjekët, infermierët dhe disa kategori të tjera rritja e pagës.

Huamarrja e theksuar prej nisjes së pandemisë ka bërë që vetëm pagesat për interesat e borxhit të arrijnë vitin e ardhshëm vlerën e 415 milionë eurove, ndërsa ulja e fondeve për programin e rindërtimit që përfundon në 2022 ka bërë që edhe investimet publike të parashikohen në rënie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos