
Nga Strasburgu, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, ka komentuar për A2 CNN pikat e progres-raportit të Komisionit Evropian, të cilat kishin tone kritikuese për qeverinë, madje edhe me çështje konkrete, të cilat, sipas Varhelyi, do të rishikojnë qëndrimin ndaj Shqipërisë nëse ecin në këtë rrugë.
“Do kisha shpresuar që të kishim një pamje më pozitive, por fatkeqësisht ka çështje që unë si përfaqësuese e opozitës i kam ngritur. Çështje që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe ishte e qartë kërkesa për të mos miratuar amnistinë fiskale. Është edhe çështja e “pasaportave të arta”. Nuk ka ndëshkueshmëri për zyrtarët e nivelit të lartë, siç duhet të kishte”, tha Tabaku.
Më tej, deputetja demokrate theksoi: “Shpresoj shumë që qeveria shqiptare ta marrë seriozisht integrimin. Jemi në kuadrin e propagandës, por ka një mungesë të qartë vullneti për të ecur para me reformat”. (A2 Televizion)